Sulm me dron në centralin bërthamor “Barakah” në Emirate

TË FUNDIT

Një sulm me dron goditi sot centralin bërthamor “Barakah” në Emiratet e Bashkuara Arabe, duke shkaktuar zjarr në perimetrin e objektit dhe duke rritur frikën për rikthimin e luftës në rajon, sipas agjencisë AP.

Autoritetet konfirmuan se nuk pati viktima apo rrjedhje radioaktive, ndërsa armëpushimi mes Iranit dhe kundërshtarëve të tij mbetet i brishtë. 

Askush nuk mori menjëherë përgjegjësinë për sulmin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe nuk akuzuan drejtpërdrejt ndonjë palë.

Megjithatë, Abu Dabi ka deklaruar se Irani ka ndërmarrë ditët e fundit sulme me dronë dhe raketa, ndërsa tensionet janë përshkallëzuar për shkak të ngushticës së Hormuzit, një rrugë strategjike për tregtinë globale të energjisë. 

Shtetet e Bashkuara vazhdojnë bllokadën ndaj porteve iraniane, ndërsa përpjekjet diplomatike për paqe të qëndrueshme kanë dështuar.

Presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi se luftimet mund të rifillojnë, ndërsa televizioni shtetëror iranian ka transmetuar pamje me prezantues të armatosur për të përgatitur opinionin publik për një konflikt të mundshëm. 

Centrali “Barakah”, i ndërtuar me ndihmën e Koresë së Jugut dhe që hyri në funksion në vitin 2020, është i vetmi central bërthamor në botën arabe dhe furnizon rreth një të katërtën e nevojave energjetike të Emirateve. Autoriteti bërthamor i Emirateve deklaroi se zjarri nuk ndikoi në sigurinë e centralit dhe se njësitë vazhdojnë të funksionojnë normalisht. 

Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) tha se sulmi shkaktoi zjarr në një gjenerator elektrik dhe se një nga reaktorët po furnizohej përkohësisht nga gjeneratorë rezervë me naftë. Drejtori i përgjithshëm i IAEA-së, Rafael Mariano Grossi, shprehu “shqetësim të madh”, duke theksuar se çdo aktivitet ushtarak që rrezikon sigurinë bërthamore është i papranueshëm. 

Ministria e Mbrojtjes e Emirateve të Bashkuara Arabe njoftoi se po zhvillohen hetime për të përcaktuar vendin nga i cili u nisën dronët që goditën centralin bërthamor Barakah në Abu Dhabi. Sipas njoftimit, forcat e mbrojtjes përballuan “me sukses” dy dronë, ndërsa një i tretë goditi një gjenerator pranë centralit. Dronët u nisën nga “kufiri perëndimor”, pa dhënë detaje të mëtejshme. 

Sulmi shkaktoi një zjarr në një gjenerator elektrik në rajonin Al-Dhafra.

Në një postim në platformën X, autoritetet thanë se nuk u raportuan të lënduar dhe nuk kishte ndikim në nivelet e sigurisë radiologjike pas zjarrit jashtë perimetrit të brendshëm të termocentralit.