SUEDEZËT ARRESTOJNË DEJAN DAVIDOVSKIN, AKUZOHET PËR NGJARJET E “27 PRILLIT”

TË FUNDIT

Autoritetet suedeze kanë arrestuar Dejan Davidovskin, i akuzuar për kërcënim të rendit kushtetues dhe sigurisë në ngjarjet e 27 prillit në Kuvend. Për të Maqedonia e Veriut kishte lëshuar fletarrest ndërkombëtar që në janar të 2018-tës. Ai nga aeroporti i Sofjes më 7 prill  ka aderuar në atë të Stokholmit ku edhe është kapur nga policia. Tani Ministria e Drejtësisë e Maqedonisë së Veriut pritet të kërkojë ekstradim të 39-vjeçarit.

“Nga Ministria e Drejtësisë thanë për TV21 se nga Prokuroria Publike po i presin shkresat nevojshme për dorëzim të ekstradimit. Menjëherë sapo të kenë plotësuar dokumentacionin e nevojshëm, nga Kabineti i Deskoskës thonë se do të dorëzojnë në Stokholm kërkesën për ekstradim të Dejan Davidovskit”, Besir Arifi, gazetar.

Mediat në Suedi shkruajnë se në Stokholm Davidovski ka arritur me dokumente të një shteti të BE-së, e që ka shumë gjasa të ketë qenë me pasaportë bullgare, për posedimin e së cilës është raportuar më herët në mediat tona, ndërsa shkruhet gjithashtu edhe se Davidkovski ka poseduar edhe numër personal suedez të sigurimeve shoqërore për shkak se më herët ka punuar në shtetin skandinav.

Davidkovski para policëve ka mohuar se ka ndonjë lidhje me dhunën në Kuvend, megjithatë me kërkesë të prokurorëve, Gjykata e rajonit të Nikoping-ut i ka shqiptuar masë paraburgimi nën dyshimin se ai mund të arratiset, shkruajnë mediat në Suedi.

I arrestuari bën pjesë në grupin e personave që me maska hynë në Kuvend në natën e përgjakshme të 27 prillit, ndërsa ndaj tij është ngritur akuzë për vepër sipas nenin 313 të Kodit Penal.

Kujtojmë se më 15 mars, Gjykata e Shkupit dënoi 16 të akuzuar me gjithsej 211 vite për  kërcënim të rendit kushtetues dhe sigurisë. Dënimi më i lartë, me 18 vjet heqje lirie iu shqiptua ish-drejtorit për Siguri Publike Mitko Çavkov, ndërsa dënimi më i vogël prej 7 vjetësh, policit Abdylfeta Alimi.

Përgatiti: Besir Arifi