Subvencione për kondicionerë, qyteti i Shkupit ka fonde edhe për 4 mijë pajisje

TË FUNDIT

Në 10 ditët e fundit, vetëm 1006 persona kanë aplikuar për klimë inverter në Qytetin e Shkupit, ndërsa nga atje informojnë se kanë mbetur mjete financiare edhe për subvencionimin e rreth 4 mijë inverterëve. Mund të aplikoni duke klikuar në këtë baner në ueb-faqen ‘skopje.gov.mk’.

 “Në këtë thirrje publike mund të aplikojnë të gjithë qytetarët në territorin e Qytetit të Shkupit, të cilët nuk kanë përdorur subvencione për ngrohje nga Qyteti i Shkupit, dhe që nuk kanë lidhje ose mundësi për lidhje me ngrohjen qendrore në objektin ku do të instalohet pajisja inverter. Kondicioneri duhet të montohet në objekt me adresën e letër njoftimit të aplikantit”, thonë nga Qyteti i Shkupit.

Nga Qyteti i Shkupit tregojnë po ashtu se risi në këtë thirrje publike është që qytetarët të dorëzojnë vullnetarisht shporetin ekzistues të drurit, qymyrit, naftës ose mazutit në lokacionin që do t përcaktohet.

Të drejtë aplikimi kanë të gjithë ata që kanë blerë inverterë nga 1 janari i këtij viti, ndërsa thirrja do të zgjasë deri më 30 nëntor, ose siç thonë nga Qyteti i Shkupit, deri në momentin që do të shfrytëzohet i tërë buxheti i paraparë.

Në Komunën e Kërçovës ka mjete për subvencionim edhe të rreth 480 kondicionerëve. Deri më tani kanë aplikuar 320, ndërsa numri total i paraparë për subvencionim është 800.

Kërçovë

Gjithsej 800

Kanë aplikuar 320

Të mbetura 480

Përveç Shkupit e Kërçovës, subvencione për inverterë janë paraparë të ndahen edhe në Tetovë dhe Manastir, por nga këto dy komuna nuk na kthyen përgjigje se deri ku është shpallja e thirrjes publike dhe numri total i inverterëve që do të subvencionojnë.