Stuhia lë pas dëme të mëdha! Mbi 300 dëme të regjistruara në kryeqytet

TË FUNDIT

Stuhia që goditi dje Shkupin ishte në kategorinë e uraganit!

Në një moment era arriti shpejtësinë prej 130 kilometrash në orë.

Dëmet ishin thuajse të pashamngshme, ndërsa sot gjithandej kryeqytetit u pastruan rrugët nga mbetjet që era i shpërndau gjithandej.

Në Çair, si në shumë pjesë të Shkupit kishte pemë të rrëzuara, që kishin dëmtuar edhe makina dhe objekte përreth.

Në Karposh një banesë mbeti pa kulm, pasi atë e shkuli era.

Edhe një pjesë e poliklinikës në Bit Pazar mbeti pa çati.

Dëme janë shkaktuar edhe në disa institucione shtetërore dhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit.

Qendra Sportive “Boris Trajkovski” gjithashtu njoftoi për dëmtime të mëdha në çatinë e pishinës, e cila përkohësisht nuk do të funksionojë.

Në gjithë Shkupin janë regjistruar mbi 117 automjete të dëmtuara, 35 çati të dëmtuara, 189 pemë të rrëzuara dhe shtatë semaforë të dëmtuar.

“Edhe njëri akrep i orës sibol të Shkupit, e ndalur në 5 e 17 që nga tërmeti i vitit 1963, është dëmtuar nga stuhia e fuqishme, ndërsa pritet që autoritetet ta riparojnë” – Etnik Ratkoceri, gazetar.

Në terren janë angazhuar ekipet e zjarrfikësve, policisë, ndërmarrjeve komunale dhe ekipeve të energjetikës, të cilat po punojnë për sanimin e dëmeve dhe normalizimin e gjendjes.

Kryeministri Hristijan Mickoski tha se dëmet do të vlerësohen, ndërsa kompensimi do të bëhet në përputhje me ligjin dhe praktikën e mëparshme nga institucionet kompetente.

“Dëmi do të vlerësohet dhe, në përputhje me ligjin, përvojën e kaluar dhe praktikën, do të rimbursohet plotësisht nga institucionet kompetente”, tha Mickoski.

Pasojat e motit të keq janë evidentuar edhe në qytete si Koçan, Shtip, Strumicë dhe rajonin e Vardarit, ku janë raportuar pemë të rrëzuara, çati të dëmtuara, ndërprerje të energjisë elektrike dhe dëmtime në infrastrukturë.