Stuhi politike në prokurori: Opozita kundër Saveskit, pushteti kundër Abazit

TË FUNDIT

Edhe pse prokurori i ri shtetëror publik, Nenad Saveski, erdhi si dikush që do ta shpëtonte sundimin e ligjit në shtet dhe do të sillte drejtësi pas PSP-së “famëkeqe” dhe Ljupço Kocevskit, këto dy ditë po ndodh një përplasje e vërtetë politike rreth statusit dhe rolit të tij. Pasi kryeministri publikisht u mburr se e kishte telefonuar për ta pyetur lidhur me një rast që nuk e udhëheq ai, por Islami Abazi nga Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, dhe pasi Saveski u arsyetua se nuk kishte mundur të mos ia hapte telefonin, sërish u hap çështja e pavarësisë së tij. Sot LSDM-ja përsëri kërkoi që Saveski të japë dorëheqje, pasi sipas tyre kryeministri dhe prokurori shtetëror merren vesh në telefon për lëndë dhe për rrjedhën e hetimeve, ku Mickoski porosit, ndërsa Saveski realizon.

“Dëgjuam se si Mickoski ndan detyra nga foltorja e Kuvendit, sipas ndjenjave të tij. Dëgjuam se si eliminon prokurorë të pavarur nga procedurat në televizion, ndërsa tani edhe në telefon ndan detyra. Ja kështu duket gjyqësori dhe prokuroria e partizuar në Maqedoni. Kështu duken ‘reformat’ e Mickoskit dhe grupit të organizuar kriminal VMRO. Prandaj, për 160 ditë nuk ka përgjigje, nuk ka asnjë reagim nga prokuroria për tenderët kriminalë që publikisht i publikoi ekipi antikorrupsion i LSDM-së”, reaguan sot nga LSDM-ja.

Po të mos bëhej fjalë për një prokuror i cili, që kur erdhi, e vetmja gjë që bëri ishte t’ia merrte lëndët Lençe Ristoskës, dhe i cili në disa raste u ul pranë kryeministrit, gjë që e pa edhe opinioni publik, ndoshta dikush do t’i konsideronte si të nxituara këto kërkesa. Megjithatë, ajo që është më e rëndësishme është – pse kryeministri Hristijan Mickoski me vetëdije po ia rrënon pozitën Saveskit me deklarata si kjo e fundit dhe pse me ngulm punon për krijimin e përshtypjes se prokurori i ri shtetëror publik është aty që ai t’i japë urdhra çfarë të punojë dhe të veprojë kundër atyre (Islami Abazi) që marrin vendime që atij nuk i përshtaten?

Sipas vlerësimit të njohësve të gjyqësorit, Mickoski në vazhdimësi, që nga zgjedhja e tij, po e “hedh nën autobus” Saveskin, pra po ia bën shumë qartë me dije se e kanë vendosur në funksion për t’u shërbyer atyre dhe jo për të treguar pavarësi. Më saktë, çfarëdo që të bëjë duhet ta dijë kush është “shefi” i tij, sepse retorika e fortë për çlirimin e prokurorisë nga kthetrat e politikës vlente vetëm derisa Ljupço Kocevski e mbante atë funksion. Tani situata është ndryshe.

Dhe e gjithë kjo po ndodh dy javë para se BE-ja të na tregojë sa kemi përparuar ose jo në reforma, ku ato në gjyqësor dhe prokurori janë prioritetet kryesore. Sikur të gjithë të jenë angazhuar ta përforcojnë përshtypjen se prokuroria nuk funksionon, për t’i ikur në mënyrë elegante presionit për ndryshime thelbësore në shtet, duke bërë vetëm teknikisht atë që kërkon Brukseli.

“Kur qytetarëve dhe kompanive u hidhen poshtë kallëzimet, askush nuk i telefonon prokurorit për t’i thënë se është ‘i shokuar’. Kryeministri telefonon prokurorin shtetëror për një lëndë vetëm në një shtet pa sistem. Dhe pse në përgjithësi i telefonon prokurorit shtetëror, e jo shefit të prokurorisë që e udhëhoqi rastin për mazutin dhe e ndërpreu procedurën? Çfarë janë këto urdhra që EMV të ankohet për vendimin, kur njerëz nga vetë kompania para prokurorit kanë deklaruar se nuk është dëmtuar?”, reagoi sot në rrjetet sociale gazetari Vasko Magleshov, duke shtuar se kishte pritur që prokurori shtetëror t’i thoshte kryeministrit të mos e telefononte më kurrë, e jo të arsyetohej.

Dhe pasi pushteti e shkatërroi Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, duke vendosur vazhdimisht kuadro të afërta me partinë ose të lidhura me keqpërdorime, dhe pasi e komprometoi Saveskin, tani ka nisur operacioni për komprometimin e Islam Abazit, prokurorit për korrupsion dhe krim të organizuar, të cilit i atribuohet afërsi me LSDM-në dhe BDI-në, pasi u zgjodh në kohën e qeverisë së kaluar. Deputetja e njohur për numrin e banesave, Dafina Stojanovska, deklaroi sot se Abazi duhet menjëherë të japë dorëheqje për shkak të mbylljes skandaloze të procedurës prokuroriale për rastin “Mazut”, me vlerë 167 milionë euro.

“Vetëm një vit më parë, prokuroria që udhëhiqet nga Islami Abazi kërkoi paraburgim për katër persona të dyshuar në këtë rast, sepse konsideronte se të dyshuarit mund të arratiseshin ose të ndikonin te dëshmitarët në procedurë, ndërsa sot – një vit më vonë – po këta prokurorë vendosin se nuk ka bazë që rasti të vazhdojë. Ky kontradiktoritet nga ana e prokurorisë që udhëhiqet nga Islami Abazi është vetëm për motive përfituese politike, e jo mbi argumente juridike apo prokuroriale. I gjithë opinioni publik në këtë rast skandaloz pa pastrim parash, krim dhe helmim të mjedisit jetësor, vetëm Islami Abazi nuk pa asgjë”, deklaroi ajo në konferencë për media. Më pas nisi të japë detyra për të gjithë ata që morën vendim për rastin.

Fillimisht ajo i bëri thirrje Këshillit të Prokurorëve të mos qëndrojë anash kur është evidente se ka pasur ndikim nga ana e Islam Abazit në rastin e quajtur “Mazut”. Nga prokurorja Katerina Kollareviq kërkoi të tregojë si kishte konstatuar se nuk ka asnjë dëm në rastin me vlerë 167 milionë euro, kur i gjithë opinioni kishte parë dëm financiar dhe ekologjik, për të cilin edhe SH.A EMV kishte paraqitur ankesë në instancat më të larta gjyqësore? Dhe në fund pyeti: “Deri kur Islami Abazi, kuadri i Ahmetit, Filipçes dhe Zaevit, planifikon të jetë xhelati i drejtësisë dhe të realizojë për këtë treshe kriminale?”, sepse sipas gjithçkaje duket se vetëm “xhelati i drejtësisë” i VMRO-DPMNE-së ka të drejtë të përmbushë obligime. Më pas përfundon se “derisa drejtësinë ta udhëheqin figura si Islami Abazi, vendime të tilla kontroverse në favor të LSDM-së dhe BDI-së do të dominojnë”.

Ndërkohë, Abazi po i kalon muajt e fundit në funksionin e tij, pasi mandati i përfundon në tetor, ndërsa në nëntor mund të zgjidhet dikush tjetër në këtë post, kështu që kërkesat për dorëheqjen e tij kanë më shumë domethënie propagandistike sesa reale, sidomos në një situatë kur pushteti blen karburante pikërisht nga ata për të cilët kërkon të përsëritet hetimi. Nga këto përplasje është e qartë vetëm një gjë – as nuk ka, e as nuk do të ketë ndryshime të vërteta në drejtësi dhe se nuk ka as tentim që kjo të fshihet./ nezavisen.mk