Një stuhi e fuqishme me breshër ka goditur pjesë të Zvicrës perëndimore dhe veriperëndimore, duke shkaktuar dëme, ndërprerje të energjisë dhe probleme në transport.
Sipas SRF Meteo, janë regjistruar rreth 46 mijë shkarkime rrufesh, ndërsa breshëri në disa zona ka arritur deri në 6 centimetra diametër.
Në Schaffhausen erërat kanë arritur deri në 142 km/h, ndërsa në Hallau janë regjistruar 23 milimetra shi për vetëm 10 minuta.
Solothurni ishte ndër zonat më të goditura, ku autoritetet kanë pranuar mbi 200 raportime për dëme, ndërsa një kamion është përmbysur në autostradën A1 dhe ka përfunduar mbi një furgon. Stuhia shkaktoi gjithashtu rrëzimin e shtyllave elektrike, dëmtime në çati dhe ndërprerje të trafikut hekurudhor, ndërsa meteorologët paralajmërojnë për reshje dhe stuhi të tjera në disa pjesë të vendit.
