STUDENTI: MË MOHOHET BURSA E SHTETIT, MASH: BARLLAKOVSKI NUK KA KREDI TË MJAFTUESHME

TË FUNDIT

Ky është Petar Barllakovski, studenti i cili ankohet se në mënyrë të pa drejtë i është refuzuar marrja e bursës nga MASH. Ai thotë se i ka plotëson të gjitha kushtet, por nëse nuk fiton bursë do të detyrohet t’i braktisë studimet në Utreht të Holandës. Ai për TV21 tha se vendimi negativ i komisionit të MASH është bazuar në kusht in-ekzistues.

“Arsyeja që më është thënë se pse unë nuk kam fituar bursë është ajo që unë nuk kam kredi të mjaftueshme, përkatësisht vendimi negativ, i marrë nga komisioni është bazuar mbi një kusht, i cili realisht nuk ekziston. Konkursi për bursë në MASH ka disa kushtëzime taksative të cilët edhe i plotësoj, megjithatë vendimi është dhënë në bazë të një kushti in-ekzistues”, deklaroi Petar Barllakovski, student.

Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës thonë se aplikuesi nuk ka kredi të mjaftueshme për të fituar bursën.

“Pas përfundimit të studimeve dhe kthim në vendin tonë, një ndër kushtet në shpallje (bursisti të kthehet në vendin amë dhe të punojë kohë të dyfishtë nga periudha e studimeve gjer sa ishte bursist), do të duhet  të kryhet procedurë për nostrifikim të diplomës e cila ka gjithsej 240 kredi nuk do të mund të trajtohet, përkatësit të njihet si diplomë magjistrature, (për të cilën ndahet bursë). Sipas sistemit tonë magjistër është personi i cili siguron 300 kredi”, thonë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Në konkursin e hapur nga Ministria e Arsimit thuhet se kandidatët duhet t’i përmbushin këto kritere:

  1. Të ketë të kryer ciklin e parë të studimeve akademike tre ose katër vjeçare, dhe të ketë arritur sukses me mesatare prej 8.50 apo të ketë diplomë të nostifikuar për studime akademike të ciklit të parë të kryera jashtë vendit me notë mesatare 8.50.
  2. Të jetë pranuar në ciklin e dytë të studimeve akademike për herë të parë. Në vit të parë të studimeve akademike në vitin 2019/20, në njërin prej dhjetë universiteteve, konkretisht në një nga të parët në mesin e 100 universiteteve të drejtimeve teknike, arkitekturë, ndërtimtari, ekonomi dhe financa, matematikë, e drejta ndërkombëtare, biologji, fizikë, kimi dhe gjenetikë. Në përputhje me listën e fundit të publikuar nga Qendra për universitete nga rangu botëror në kuadër të listës së Shangait.
  3. Të ketë dëshmi për njohje aktive të gjuhës në të cilën zhvillon mësimin.
  4. Të mos jetë shfrytëzues i bursave nga donatorë tjerë
  5. Të jetë shtetas i Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Ndryshe Barallakovski,  paraprakisht ka kryer studime tre vjeçare deri në diplomim dhe ka tubuar gjithsej 180 kredi dhe tani ai është pranuar në studime-post diplomike njëvjeçare të cilat kanë 60 kredi.

Përgatiti: Mevludin Imeri