Zjarri që shpërtheu mbrëmë pas orës 23:00 në Qendrën Tregtare “Global” në Strumicë është shuar herët në mëngjes, ndërsa në vende të caktuara në pjesën e brendshme, ku janë vendosur një numër i madh i tezgave dhe dyqaneve ende digjet dhe kohë pas kohe paraqiten flakë.

Nga kjo që mund të vërehet në vendin e zjarrit, janë djegur më shumë se dhjetë dyqane, pjesa e brendshme ku janë vendosur tregu dhe tezgat në pjesën më të madhe janë djegur, është përfshirë edhe supermarketi në brendësi, ndërsa flakët e zjarrit kanë përfshirë edhe pjesë deri në katin e tretë të qendrës tregtare.

Vendin e ruajnë ekipi i NJTZ Strumicë, i cili kujdeset të mos vijë deri në një zjarr të ri dhe intervenon në vendin ku paraqiten flakë.
Disa pronarë të dyqaneve dhe tezgave vetëm shikonin në heshtje në objektin dhe nuk ishin në disponim të japin deklarata.

Mbrëmë në vendin e zjarrit ishte edhe kryetari i Strumicës, Kosta Janevski, i cili tha se dëmi material është i madh, ndërsa për fat të mirë nuk ka të lënduar.
Sipas dëshmitarëve zjarri menjëherë është përhapur.
“Filloi së pari nga dyqani i parë dhe shpejt u përhap. Dyqani im tërësisht është djegur dhe aty kishte mall mbi 20 mijë euro”, ka thënë pronari i dyqanit.
Tani për tani nuk dihen arsyet e shpërthimit të zjarrit ku është shkaktuar dëm i madh material.



