Struga-Vardari barazim 1-1! Rabotniçki triumfon 3-0 ndaj Shkupit

TË FUNDIT

Derbi i javës mes Strugës dhe Vardarit përfundoi pa fitues, me nga një gol për secilën skuadër, 1-1.

Ndeshja ishte e barabartë dhe me disa rrezikime nga të dyja anët, por Vardari shënoi i pari. Pas një goditjeje korneri të saktë, Matiç me kokë e dërgoi topin në rrjetë.

Në pjesën e dytë, Struga mori iniciativën, ndërsa Vardari u tërhoq dhe dukej se priste mundësi nga kundërsulmet. Presioni i vendasve dha rezultat rreth dhjetë minuta para fundit. Pas një gjuajtjeje të lirë, në kaosin brenda zonës më i zgjuar ishte Maleski, që shënoi për barazim.

Ky rezultat pa fitues mund t’i shkojë më shumë në favor Shkëndijës, e cila nga pozita e dytë merr mundësinë të afrohet vetëm tre pikë larg Vardarit.

Paraprakisht në ndeshjen tjetër futbollistët e Rabotnickit ishin më të mirë se të Shkupit, duke fituar bindshëm 3-0 dhe për herë të parë këtë sezon gëzuan dy fitore radhazi.

Që nga fillimi, vendasit kontrolluan lojën, ndërsa rezultatin e hapi Manojlov në minutën e 37-të, që ishte edhe goli i vetëm i pjesës së parë. Në vazhdim, Rabotnicki vazhdoi të dominojë, por golat u shënuan vetëm në fund të ndeshjes.

Së pari, ish-lojtari i Shkupit, Muharem, shënoi në minutën e 77-të, ndërsa vetëm tri minuta më vonë Angelov vendosi rezultatin përfundimtar 3-0.