Struga Trim Lum shpejt u rikuperua nga humbja ndaj Breras. Pasdite, në ndeshjen e javës së 11-të, struganët si vendas në terrenin e tyre mposhtën Shkupin me rezultat 2-1.
Që nga fillimi i ndeshjes, iniciativën e kishin struganët, dhe një lojë e tillë dha rezultat në minutën e 24-të me golin e Compaoré. Në pjesën e dytë, Struga mbeti me një lojtar më pak pasi francezi Diako mori karton të kuq në minutën e 54-t. Ekipi i Shkupit barazoi në minutën e 56-të përmes Suhel Muharemit nga penalltia. Një tjetër penallti u akordua në minutën e 75-të, këtë herë për Strugën, dhe Compaoré u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke i dhënë fitores rezultatin 2-1.
Me këtë fitore, Struga u rikthye në krye të tabelës me dy pikë më shumë se Vardari, i cili nesër do të luajë derbin kundër Sileksit.


