Fundjava e fundit e muajit gusht ka mbushur plazhet e bregut të Liqenit të Ohrit në rajonin e Strugës. Është vërejtur një vërshim i vërtetë gjatë ditës së sotme, mbase edhepër shkak të fundmuajit dhe në fillim të javës fillojnë edhe shkollat.
Pamjet nga plazhi i qytetit në Strugë dëshmojnë për një numër të madh të pushuesve që kanë ardhur nga të gjitha qytetet e Maqedonisë, e sidomos nga qytetet veriperëndimore të Maqedonisë, e këtë e dëshmojnë edhe target e veturave të parkuara në të gjitha hapsirat që shërbejnë ose jo për parking.
Nuk kanë munguar dhe nuk mungojnë as mysafirët-pushuesit nga Kosova dhe Shqipëria, të cilët kanë ardhur edhe në mënyrë të organizuar por edhe në forma individuale, që fundjavën ta kalojnë buzë Liqenit të Ohrit dhe Drinit të Zi, për të shijuar gjithë ate që ofrojnë këto perla të verës.
Vërshimi i pushuesve gjatë kësaj fundjave mbase konsiston edhe në parashikimet e sinoptikëve që kanë paralajmëruar se do të mbretërojë kohë e nxehtë dhe me temperature relativisht të larta në të gjitha viset krahasuar me temperaturat dhe mundësitë e freskimit që ofron Struga, Liqeni i Ohrit dhe Drini i Zi.
