Strategjia për personat me nevoja të veçanta / Alishan: Dorëzuam vërejtje, nuk i plotëson nevojat tona

TË FUNDIT

Koalicioni i personave me nevoja të posaçme “Ndryshojmë” realizuan takim me përfaqësues të Ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale. Ata ankohen se strategjia e ministrisë për avancimin e të drejtave të tyre nuk i përmbushë nevojat elementare të kësaj kategorie. Nga ministria u kanë premtuar se për momentin, strategjia nuk do të kalojë në qeveri.

“Realizuam takim me përfaqësuesit e ministrisë për punë sociale, përsëri ministrja nuk ishte. Por ne si organizatë dorëzuam planin tonë, vërejtjet tona lidhur me planin e tyre aksionar të strategjisë. Na thanë se për momentin nuk do të shkojë në Qeveri kjo, do t’i presin të gjitha vërejtjet tona, të gjitha propozimet tona dhe ne si organizatë kërkuam edhe një debat publik sepse qëndrimi i tyre ishte thjeshtë ta mbrojnë strategjinë por ne thamë se strategjia nuk mund të kalojë”, deklaron Suaret Alishan nga Koalicioni “Ndryshojmë” (Menuvame).

Alishan tregon që në strategji është paraparë edhe një masë sipas tij absurde, ku funksionarët si presidenti e kryeministri, do të shpërblehen kur të nënshkruajnë ligjet dhe do të mbështesin të drejtat e personave me pengesa.

“Më tragjike është se strategjia parasheh edhe shpërblim për politikanët paramendoni, në planin aksionar, sikur për presidentin e kryeministrin, për ata të cilët do t’i nënshkruajnë ligjet tona dhe do të flasin për të drejtat tona. Faktikisht shpërblim. A duhet ne personat me nevoja të posaçme të paguajmë që dikush t’i nënshkruajë të drejtat tona dhe t’i promovojë?”, pyet Alishan.

Pas takimit nuk doli askush nga ministria për punë dhe politikë sociale të njoftojë për rrjedhën e takimit. Pasi i morëm në telefon, na informuan se nuk janë paraparë deklarata për media. I vetmi njoftim i ministrisë ka qenë para një jave ku kanë njoftuar për strategjinë dhe u bënë thirrje koalicionit “Ndryshojmë” që të dorëzojnë kërkesat e tyre. Por sa ky koalicion shpreson që ministria do t’i dëgjojë dhe pranojë kërkesat e tyre?

“Duke patur parasysh se jetojmë në një shtet me pengesa në zhvillim dhe me politikanë me nevoja të veçanta e të cilët ikin nga takimet me ne, me këtë tregojnë se një shtet vlen aq sa kujdesen për personat me nevoja të veçanta”, shprehet më tej Alishan.

Përndryshe strategjia ishte iniciativë e trupit koordinues për implementimin e konventës për të drejtat e personave me nevoja të posaçme e cila funksionon në korniza të Qeverisë.