Stoltenberg: “Me padurim do e mirëpres Maqedoninë e Veriut si anëtare të tridhjetë të Aleancës”

TË FUNDIT

I shoqëruar nga 29 ambasadorë të vendeve anëtare, Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg u prit me ceremoni solemne nga Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi.

Stoltenberg i cili për dy ditë do të qëndrojë për vizitë zyrtare në vend, gjatë fjalës së tij vlerësoi se përfitimet për Republikën e Maqedonisë së Veriut prej anëtarësimit në NATO  tanimë janë të dukshme. Këtu përmendi rritjen e investimeve, ndërsa rikujtoi edhe se shteti tashmë ka marrë pjesë në takimet e ministrave të Mbrojtjes dhe për Punë të Jashtme të vendeve anëtare të NATO-s, që u mbajtën në shkurt dhe prill këtë viti.

“Aleanca jonë kujdeset për sigurinë e njerëzve, por edhe për respektimin e vlerave tona – lirisë, demokracisë dhe sundimit të të drejtës. Në vitin 1949, ministrat e Punëve të Jashtme të dymbëdhjetë vendeve e nënshkruan Marrëveshjen e Uashingtonit. Së shpejti, kur procesi i aderimit tuaj do të përfundohet, me padurim do e mirëpres Maqedoninë e Veriut si anëtare të tridhjetë të Aleancës sonë. Dhe, ta shoh flamurin tuaj si valëvitet para selisë sonë në Bruksel, si edhe në misionet dhe operacionet tona anembanë botës” tha Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Stoltenberg.

Nikoqiri delegacionit të NATO-s, kryekuvendari Talat Xhaferi shprehu kënaqësi që është mikpritës i Këshillit Veriatlantik, që siç tha, për shtetin tonë paraqet një lloj mirënjohjeje dhe konfirmimi se me meritë bëhemi anëtare e Aleancës NATO.

„Jemi të vetëdijshëm se anëtarësimi në NATO është kategori dinamike e cila sjell shumë përparësi dhe përfitime por, në të njëjtën kohë imponon edhe shumë obligime. Ruajtja e paqes dhe sigurisë në nivel global, ballafaqimi me të gjitha sfidat që e rrezikojnë paqen, respektimi i të drejtave dhe lirive të njeriut, demokracia parlamentare dhe sundimi i të drejtës, gjithë këto janë vlerat mbi të cilat bazohet Aleanca e NATO-s, që janë obligim i çdo vendi anëtar. Republika e Maqedonisë së Veriut beson në këto parime dhe me këtë rast, dua që publikisht të potencoj se si anëtare e plotfuqishme në NATO, do e vazhdojmë si edhe deri tani, me përkushtim dhe përgjegjësi realizimin e këtyre vlerave dhe parimeve themelore që na bashkojnë me të gjitha vendet anëtare të NATO-s” deklaroi Kryetari Xhaferi.

Përveç korit diplomatik, në prite nuk munguan as përfaqësues të Qeverisë, delegacion të cilit i paraprinte Kryeministri Zoran Zaev bashkë me zëvendësit e tij Bujar Osmanin, Radmilla Shekerinskën, Oliver Spasovskin dhe Koço Angjushevin. Të pranishëm ishin edhe ministri i Punëve të Jashtme Nikolla Dimitrov, ministrja e Drejtësisë Renata Deskovska, Minmistri i Financave Dragan Tevdovski, si edhe ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës Damjan Mançevski.

Delegacionin e lartë të NATO-s e pritën edhe nënkryetarët e Kuvendit, Frosina Tashevska Remenski, Goran Misovski dhe Vesel Memedi, koordinatorët Jovan Mitreski, Ejup Alimi, Nikola Micevski dhe Elizabeta Kançeska Milevska, si edhe deputetë të më shumë partive parlamentare.