Stoltenberg: Është e dukshme rritja e tensioneve në Kosovë

TË FUNDIT

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka deklaruar se trupat e KFOR-it mbështesin përpjekjet e diplomatëve të Bashkimit Evropian për të arritur përparim në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Në takimin në Bruksel, ai është shprehur se ka pasur njoftime të reja nga disa shtete për rritjen e mbështetjes për misionin e KFOR-it, derisa ka shtuar se “rritja e tensioneve në Kosovë është e dukshme, jo vetëm në lidhje me çështjen e targave”.

“Ballkani Perëndimor është një rajon në Evropë ku BE dhe NATO bashkëpunojnë shumë ngushtë. Ne ndihmuam për t’i dhënë fund dy luftërave brutale, fillimisht në Bosnje e Hercegovinë, pastaj në Kosovë”, tha ai, pas takimit të ministrave të Mbrojtjes së vendeve anëtare të Aleancës në Bruksel.

“Ne kemi prezencën tonë, misionin e KFOR-it në Kosovë. Aleatët janë të përkushtuar të vazhdojnë të kontribuojnë për forcat”, tha më tej Stoltenberg.

Duke folur për Bosnjen e Hercegovinën, ai tha se është një nga vendet që janë në rrugën e anëtarësimit në NATO, të cilin Aleanca e mbështet, por theksoi se ky vendim në fund të fundit do të jetë vendim i Bosnje e Hercegovinës.