Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga ngushëlloi sot familjen Stavileci me rastin e ndarjes nga jeta të Akademik Esat Stavilecit.
“E ndaj me Ju, e nderuara familje dhimbjen për këtë humbje të madhe për ju dhe për të gjithë ne në Kosovë duke e kujtuar me shumë respekt, punën dhe kontributin e çmuar të Akademik Esat Stavilecit.
Akademik Stavileci do të mbahet mend ndër gjenerata për kontributin e jashtëzakonshëm shkencor në fushën juridike-kushtetuese dhe për kontributin e jashtëzakonshëm për vendin e tij.
Ndarja nga jeta e Akademik Esat Stavilecit, është humbje e madhe jo vetëm për ju e nderuara familje Stavileci, por edhe për gjithë komunitetin shkencor të Kosovës, për miqtë, për bashkëpunëtorët dhe për të gjithë ata studiues që patën fatin të punojnë me të dhe të mësojnë nga ai”.
——–
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ngushëlloi familjen Stavileci dhe të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës me rastin e ndarjes nga jeta të anëtarit të rregullt të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ekspertit të shquar në fushën e shkencave juridike, Akademik Esat Stavilecit.
“Me pikëllim dhe dhembje të madhe e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Akademik Esat Stavilecit. Akademik Esat Stavileci me punën, angazhimin dhe përkushtimin e tij të jashtëzakonshëm gjatë dekadave të kaluara, ka dhënë kontribut të madh për Kosovën, veçanërisht në avancimin e gjithanshëm të shkencave juridike në shtetin e Kosovës. Akademik Esat Stavileci, do të përkujtohet gjithnjë si një profesor frymëzues për breza të tërë të juristëve të Kosovës dhe për punën dhe kontributin e madh në fushën e studimeve juridike në Kosovë”, thuhet në telegramin e kryeministrit Mustafa.
——-
Ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi ka ngushëlluar familjen Stavileci me rastin e ndarjes nga jeta të Akademik Esat Stavilecit.
“Sot të gjithë ne e humbëm një mik, një profesor, një akademik, një shkencëtar, një mentor që me përkushtimin e tij dhe me profesionalizmin ishte shembull për të gjithë se si të punohet dhe të jetohet.
Do ta kujtojmë përgjithmonë si patriot, si një ndër akademikët, juristët e profesorët më të mirë që ka pasur Kosova”.
———
Kryetarja e Gjakovës Mimoza Kusari-Lila ka dërguar telegram ngushëllimi familjes Stavilevci me rastin e vdekjes së akademik Esat Stavilevci.
Kusari-Lila në telegramin e ngushëllimit ka thënë se Kosova dhe shqiptarët në përgjithësi ka humbur një personalitet dhe intelektual të dalluar.
——–
Ismail Kadare, shkrimtar i madh i letrave shqipe dhe jo vetëm, kandidat i çmimit Nobel në letërsi, ngushëllon familjen Stavileci, për vdekjen e Akademik Esat Stavileci.
