Pas informacioneve për aktakuzën kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe të dyshuarve të tjerë për një numër të madh të krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës, përfshirë edhe vrasje, nga Brukseli porositën se BE-ja fuqishëm e mbështet punën e Prokurorisë Speciale për Kosovën.
Zëdhënësi i BE-së, Piter Stano për Tanjugun deklaroi se BE-ja nuk i komenton procedurat e bëra nga Prokuroria Speciale për Kosovën, por gjithashtu, vlerëson se Gjykata është tregues i rëndësishëm për përcaktimin e Kosovës për sundimin e së drejtës.
“Sundimi i së drejtës është element kyç për progresin e Kosovës në rrugën drejtë integrimit në BE, si dhe për angazhimin gjithëpërfshirës të BE-së me Ballkanin Perëndimor”, tha Stano.
Ai shtoi se është me rëndësi që të lejohet që Prokuroria Speciale për Kosovën të vazhdojë me punën e saj të pavarur dhe pa kurrfarë ndikimi të jashtëm./MIA
