Qeveria e Kosovës ka shtyrë miratimin e Projektligjit për Arsimin e Lartë, pas kërkesës së ministrit Lubomir Mariq që vjen nga lista Serbe. Sipas tij ende nuk janë bërë konsultime për përfshirjen e Universitetit të Mitrovicës Veriore në këtë projektligj.
Mirëpo, ministri i Arsimit Arsim Bajrami e ka vlerësuar si të panevojshëm shtyrjen e këtij projektligji, sepse plotësimet dhe ndryshimet mund të bëhen gjatë dy leximeve në Kuvendin e Kosovës.
Kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme ka miratuar edhe projektligjin për liritë fetare, si dhe ka emëruar anëtarët bordeve në INFRAKOS, Aeroportin e Gjakovës dhe Postën e Kosovës.
Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal Lubomir Mariq kërkoi nga kryeministri Isa Mustafa që të shtyhet Ligji për Arsimin e Lartë, pasi nuk janë bërë konsultime përkatëse me ta.
Kërkesën e ministrit serb për shtyrjen e këtij projektligji e ka mbështetur edhe kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, duke thënë se mund të shtyhet për mbledhjen e ardhshme të Qeverisë.
Por, ministri i Arsimit, Arsim Bajrami e ka quajtur të panevojshëm shtyrjen e miratimit të projektligjit për Arsimin e lartë, pasi është gjetur zgjidhje shumë e mirë për Universitetin e Mitrovicës Veriore për integrim në hapësirën kombëtare të arsimit të lartë.
Bajrami tha se Ligji ka kaluar edhe ekspertizat ndërkombëtare dhe është një parakusht për lejimin e kredisë së Bankës Botërore më 23 shtator të këtij viti, për shkak se brenda kësaj kredie është edhe një fond për implementimin e këtij ligji.
Bajrami ka kërkuar nga Lista Serbe që t’u ndihmojë që të vejnë kontakte me udhëheqësit e Universitetit të Mitrovicës së Veriut.
Kabineti qeveritar ka miratuar edhe projektligjin për liritë fetare në Kosovë, ku gjashtë bashkësitë fetare në Kosovë me këtë projektligj fitojnë statusin e personave jur idik.
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Kulturës Kujtim Shala gjatë prezantimit të projektligjit tha se në Kosovë ekzistojnë gjashtë bashkësi fetare të cilat përbëjnë edhe trashëgimin historike dhe sociale të vendit. Ato janë Bashkësia Islame e Kosovës, Kisha Katolike, Kisha Ortodokse serbe, bashkësia e besimit hebrej,kKisha protestante ungjillore e Kosovës dhe bashkësia e tarikateve të Kosovës, të cilat me këtë projektligj fitojnë statusin e personit juridik.
Ndërsa, ministri për Kthim dhe Komunitete Dalibor Jevtic ka kërkuar që Kisha Ortodokse Serbe të jetë e dyta në Kosovë, pas Bashkësisë Islame të Kosovës.
Ndaj këtyre reagoi ministri i Bujqësisë Memli Krasniqi i cili tha se duhet të krijohet një kulturë që të mos kërkohet shtyrja dhe ndryshimi i ligjeve në momentin e fundit, por kjo të bëhet më herët.
Qeveria e Kosovës ka emëruar anëtarët e bordeve të ndërmarrjeve publike Postës së Kos ovës, Aeroportit të Gjakovës dhe Hekurudhave të Kosovës, Infrakos.
Anëtarët e rinj të bordit të Postës janë emëruar Halit Isufi, Mejdi Gjokli, Hysen Fazliu, Branisllav Nikolic, Metije Jashari dhe Rushan Ceka.
Anëtarët e bordit të Aeroportit të Gjakovës janë emëruar Naser Ranolli, Brikena Kryeziu, Nora Gola, Nuri Bahtijari, Zenun Shala, dhe një pozitë mbetet që të plotësohet nga komunitetet.
Anëtarët e rinj të bordit të Infrakosit janë emëruar Njazi Selmanaj, Enver Aruqaj, Fëllënza Xhelili, Millosh Dimiq, Milazim Bytyçi dhe Nexhat Dedija.
