Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali ka mbërritur ditën e sotme në Izrael në përgjigje të ftesës që mori një javë më parë nga homologu izraelit, Z. Gideon Sa’ar.
Spiropali do të pritet në një takim bilateral nga homolgu Sa’ar, si dhe nga Kryetari i Kuvendit të Izraelit, Z. Amir Ohana.
Ndalesën e saj të parë në Izrael, Ministrja Spiropali e pati në vendodhjen e Festivalit Nova, në përkujtim të viktimave të masakrës së 7 tetorit të vitit 2023, që u mori jetën mbi 1200 civilëve në Izrael.
Spiropali theksoi se “kthimi i të gjitha pengjeve në shtëpi do të ishte një hap vendimtar për mbrojtjen e dinjitetit njerëzor”.
“Shqipëria mbështet marrëveshjen e paqes, arritur së fundmi me ndërmjetësimin e Presidentit Trump si e vetmja mënyrë për stabilitet në Lindjen e Mesme dhe bashkëjetesën në siguri e dinjitet për të dy popujt”, deklaroi Spiropali nga Izraeli.
Diskutimet mes dy ministrave të jashtëm do të fokusohen gjithashtu në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, zhvillimet rajonale, bashkëpunimin ekonomik, inovacionin dhe interesat e përbashkëta strategjike.
Spiropali do të vizitojë gjithashtu Memorialin “Yad Vashem”, qendrën e përkujtimit dhe dokumentimit të Holokaustit, ku shqiptarët nderohen ndër popujt që rrezikuan jetën e tyre për të shpëtuar hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore.