Specialja me paralajmërim për pasoja

TË FUNDIT

Prokuroria Publike Speciale ende nuk ka marrë kërkesë nga Prokuroria Themelore për dorëzimin e lëndëve. Prandaj nuk mundemi të informojmë nëse dhe si do të veprohet me lëndët, thonë nga Prokuroria Speciale.

“Duam edhe një herë ta shprehim shqetësimin tonë për faktin se deri në këtë moment as nuk është zgjedhur prokuror publik që do ta zëvendësojë Janevën, e as nuk është sjellë zgjidhje ligjore me të cilën do të rregullohet statusi i kësaj Prokurorie Publike” shkruhet në komunikatën e PPS-së.

Nga atje po ashtu theksojnë se mandati i PPS-së dhe marrëdhënia e punës e të punësuarve zgjat deri më 15 shtator 2020. Mungesa e një rregulloreje se çfarë do të ndodhë me të punësuarit, arkivin dhe materialet që posedon Specialja, në mungesë të një drejtuesi të institucionit, do të çojë në probleme reale për të drejtat e marrëdhënies së punës të të punësuarve dhe zgjidhjen e detyrimeve të institucionit, paralajmërojnë nga PPS, duke shtuar se me këtë do të mungojë kontrolli për zbatimin e procedurave të sigurisë që lidhen me të gjitha materialet që Specialja i posedon.