Spasovski: Opinioni të mos gjykojë para kohe, incizimi i ri në Manastir i jep dimension të ri rastit

TË FUNDIT

Pasi në opinionin publik doli video e re lidhur me incidentin në Manastir, ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, tha se në MPB ende po punohet mbi rastin dhe se ende është herët për epilog apo për komente. Në këtë video, e cila doli në publik pas rastit kur dy policë rrahën romë nga Manastiri, shihet se kësaj situate i ka paraprirë një sulm ndaj policëve.


“Konstatimi është se së pari duhet t’i presim të gjitha argumentet dhe faktet lidhur me çdo ngjarje, e pastaj të japim gjykimin tonë rreth këtyre ngjarjeve, pa dallim kush e bën këtë, nëse qytetarët, nëse organizatat joqeveritare, mediat etj. Kjo procedurë është nën hetim dhe unë absolutisht nuk arsyetoj asnjë lloj dhune”, deklaroi Oliver Spasovski – Ministër i Punëve të Brendshme. 

Ministri Spasovski nuk tha asgjë lidhur me atë nëse incizimi i ri do të ndikojë mbi vendimin për suspendim të dy policëve, vetëm tha se kundër zyrtarëve policorë po zhvillohen dy procedura – penale dhe disiplinore. Ai shtoi se çdokush që do t’i tejkalojë autorizimet e tij, duhet të mbajë përgjegjësi dhe se nuk do të mbështesë sulm ndaj zyrtarëve policorë, duke theksuar se çdo sulm ndaj një polici është sulm ndaj shtetit.


“Jeni në dijeni për rastin me sulmin e 5 personave, njëri prej të cilëve është në gjendje serioze shëndetësore. Ata tashmë janë arrestuar dhe 10 personave u është shqiptuar masa paraburgimi. Unë i falënderoj Prokurorisë Publike për shpejtësinë e veprimit. Vetëm në këtë mënyrë do t’i dekurajojmë kriminelët që duan të sulmojnë”, u shpreh Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.

Para një kohe të caktuar, me reagim doli edhe Sindikata e Policisë së Maqedonisë, prej ku kërkuan që organet gjyqësore t’i procedojnë rastet e tilla sa më shpejtë që është e mundur, kurse t’i ashpërsojnë edhe politikat dënuese me qëllim që të shmanget dukuria e sulmeve ndaj policëve. Të shtunën në Manastir u mbajt marsh protestues kundër brutalitetit policor, kurse disa shoqata rome porositën se nuk guxon që një apo dy, siç i quajtën “sherifë lokalë” t’i njollosin të gjithë policët. Ndryshe, për rastin në fjalë, dy policë mbetën të suspenduar nga puna, kurse njëri prej tyre mori edhe padi penale.