Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski duhet të japë dorëheqje, sepse edhe pse nga njëra anë lavdërohet duke njoftuar se sa gjoba u shqipton qytetarëve në ditë, nga ana tjetër ka lejuar që të arratiset i akuzuari kryesor në rastin gjyqësor “Target-Fortesa”, Sasho Mijallkov.
Kështu ka kritikuar lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
“U kemi dhënë 24 orë për hetim, hetimi kriminel të japë rezultat. Por jeni marrë vesh. Dje shpirti mu digj kur e pash Zaevin (kryeministrin Zoran Zaev) se si arsyetohej para qytetarëve. Për këtë mos pritni, Ministria, Qeveria, gjykata, Prokuroria duhet të japin përgjigje për këtë rast. Përgjegjësi duhet të ketë, sepse qytetarët kërkojnë drejtësi. Nuk jeni të aftë për asgjë. Nuk mundeni vaksina të siguroni, nuk mund të realizoni regjistrim kredibil, nuk mund të bëni reforma, nuk mund të mbani seanca në Kuvend për shkak se nuk keni shumicë. Maqedonia është në krizë politike, për shkak të juve u bëmë shtet që qeshen të gjithë”, tha Mickoski, transmeton TV21.
Nga ana tjetër, partia në pushtet, Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë ka ftuar Mickoskin që të ftojë të gjithë ish funksionarët e akuzuar në rastet e ish Prokurorisë Publike Speciale që të përgjigjen para ligjit dhe të vuajnë dënimet./TV21