Spanja propozon ligjin që ndalon shërbimin e automatizuar ndaj klientit

TË FUNDIT

Qeveria e Spanjës po paraqet një projektligj për të hequr zërat e regjistruar automatikisht në telefon, gjë që do detyrojë kompanitë të kenë një person real në shërbimet e klientit për marrjen e thirrjes.

Projektligji i cili përfshin një sërë masash të tjera të lidhura, u propozua nga Ministria e Çështjeve të Konsumatorit dhe u mbështet nga koalicioni i majtë në pushtet.

“Shërbimet ndaj klientit, shumë shpesh shkaktojnë dhimbje koke të pafundme për familjet spanjolle, sepse shumë kompani krijojnë labirinte burokratike për t’ju ndaluar të ushtroni të drejtën tuaj për shërbim”, tha ministri i Çështjeve të Konsumatorit Alberto Garzón.

Ai shtoi se “këto vështirësi përfaqësojnë gjithashtu një humbje të madhe energjie, kohe dhe parash për familjet”.

Ofruesit e shërbimeve komunikative, telefoni dhe shërbimet e internetit, do të duhet të ofrojnë shërbim ndaj klientit 24 orë në ditë për 365 ditë në vit. Të gjitha firmat e tjera do të jenë të detyruara të ofrojnë shërbimin ndaj klientit gjatë orarit normal të punës.

Gjithë ankesave të klientëve do të duhet t’u përgjigjen brenda 15 ditëve, me një dispozitë që lejon secilin prej komuniteteve autonome të Spanjës ta zvogëlojnë atë edhe më shumë nëse ata vendosin ta bëjnë këtë.

Ligji do të zbatohet për të gjithë ofruesit e shërbimeve, pavarësisht nga madhësia e tyre, dhe të gjitha kompanitë e tjera me më shumë se 250 punëtorë ose qarkullimi i të cilave kalon 50 milionë euro në vit. Gjobat për shkeljen e ligjit do të variojnë nga 150 deri në 100 mijë euro.