SPAK sekuestron hotelin luksoz në Jalë

TË FUNDIT

Nga një simbol i luksit në bregdetin shqiptar, në një pasuri të vendosur nën sekuestro nga SPAK. Hoteli “Zig Zag” në Jalë, një prej strukturave më luksoze të rivierës me 5 yje dhe rreth 200 dhoma akomodimi, ka përfunduar në listën e pasurive të sekuestruara pas megaoperacionit kundër një grupi kriminal të dyshuar për trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash.

Sipas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme, miliona euro të dyshuara me origjinë kriminale janë investuar ndër vite në pasuri të paluajtshme, komplekse turistike, hotele, vila dhe ndërtime luksoze, duke krijuar një rrjet të gjerë investimesh në disa nga zonat më të lakmuara të Shqipërisë.

Në total janë sekuestruar 491 pasuri me një vlerë të përllogaritur rreth 150 milionë euro. Mes tyre ndodhen hotele dhe vila në vijën bregdetare, por edhe prona në Tiranë, Durrës, Elbasan, Lezhë, Shkodër, Dhërmi dhe Sarandë.

Sipas SPAK, grupi kriminal dyshohet se drejtohej nga Dritan Gjika dhe Eldi Dizdari, ndërsa një rol kyç në skemën e dyshuar të pastrimit të parave e kishte Isa Aliu.

Në kuadër të operacionit, Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” edhe për Nikoll Bibajn, Sokol Bibajn, Armando Pacanin, Naldi Yzeirajn, Oklid Aliun dhe Shpëtim Aliun.

Aksioni i SPAK konsiderohet si një nga goditjet më të mëdha ndaj pasurive të dyshuara se janë krijuar apo financuar me para që burojnë nga aktiviteti kriminal, duke nxjerrë në pah se si kapitalet e dyshuara të krimit kanë depërtuar deri në zemër të biznesit të luksit dhe turizmit shqiptar./JOQ