Sot pritet të mbahet seancë gjyqësore ndaj të dyshuarve për vrasjen e Liridonës

TË FUNDIT

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka caktuar për të dielën një seancë për tre persona që dyshohet të jenë përfshirë në vrasjen e Liridona Murselit, më 29 nëntor, në kryeqytetin e Kosovës.

Në mesin e të dyshuarve është burri i saj, i identifikuar nga mediat lokale në Kosovë si Naim Murseli.

I arrestuar është edhe G.P, i identifikuar nga Policia e Kosovës si dorasi, dhe K.K, pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Seanca është caktuar në orën 9:30, por nuk dihet nëse do të jetë e hapur për mediat.

Vrasja e Liridonës ka marrë vëmendje të madhe, pasi fillimisht ajo ishte raportuar nga Policia e Kosovës si “grabitje me pasoja të vrasjes”.

Pas arrestimit, Betimi për Drejtësi – medium i specializuar në fushën e sundimit të ligjit në Kosovë – ka raportuar, bazuar në burime se, i dyshuari Naim Murseli e ka pranuar para hetuesve se e ka porositur vrasjen për bashkëshorten e tij.

“Burime të ‘Betimi për Drejtësi’ bëjnë të ditur se i dyshuari Murseli ia kishte dhënë të dyshuarit G.P., 15 mijë euro para vrasjes, e 15 mijë të tjera do t’ia jepte pas kryerjes së veprës”, është thënë në raportimin e këtij mediumi.

Autoritetet e drejtësisë ende nuk e kanë bërë të ditur motivin e kësaj vrasjeje.

Policia e Kosovës ka thënë se ka kryer bastisje në Gjakovë dhe ka arritur të sekuestrojë armën, me të cilën dyshohet të jetë kryer vrasja.

Vrasja është dënuar ashpër nga zyrtarë të lartë të Kosovës dhe është bërë thirrje për zbardhjen e rastit.

Me thirrjet kundër femicidit dhe dhunës me bazë gjinore – duke marrë shkas rastin e Liridonës – do të protestohet në mesditën e së dielës në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, ndërsa të martën në Prishtinë.