Sot mbahet Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Tivat

TË FUNDIT

Sot, më 5 qershor, zhvillohet samiti i radhës mes Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në Tivat.

Takimi mbledh liderët e Bashkimit Europian dhe të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke riafirmuar partneritetin strategjik dhe angazhimin për avancimin e procesit të integrimit europian të rajonit.

Samiti zhvillohet gjashtë muaj pas takimit të fundit të mbajtur në Bruksel dhe do të drejtohet nga presidenti Këshillit Evropain, António Costa. Mikpritës i samitit është presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatović.

Në takim marrin pjesë gjithashtu presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, si dhe përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas.

Nën temën “Prosperiteti i Përbashkët dhe Stabiliteti i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor”, liderët do të diskutojnë ecurinë e procesit të zgjerimit të Bashkimit Europian, integrimin gradual të vendeve të rajonit në tregun dhe politikat e BE-së, si dhe zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Samiti konsiderohet një moment i rëndësishëm për forcimin e bashkëpunimit mes BE-së dhe rajonit, në një periudhë kur procesi i zgjerimit po merr një vëmendje të shtuar në agjendën europiane.

Programi i samitit nis me ceremoninë zyrtare të mirëseardhjes të organizuar nga Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatović. Më pas do të zhvillohet seanca plenare e samitit, ku liderët do të shkëmbejnë pikëpamje mbi prioritetet e përbashkëta europiane dhe rajonale.

Samiti do të shërbejë gjithashtu si një platformë për shkëmbimin e pikëpamjeve mbi sfidat e përbashkëta me të cilat përballet rajoni dhe Europa, si dhe për forcimin e bashkëpunimit në funksion të sigurisë, stabilitetit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Takimi në Tivat zhvillohet në kuadër të zbatimit të Agjendës Strategjike të Këshillit Europian 2024–2029 dhe konfirmon rëndësinë që Bashkimi Europian i kushton perspektivës europiane të Ballkanit Perëndimor.