Sot dita e fundit në shkollë, fillon pushimi veror për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme

TË FUNDIT

Për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme sot është dita e fundit e shkollës e vitit shkollor 2025/2026 dhe deri më 31 gusht do të jenë në pushim veror.

Për më shumë se 14 500 maturantë mësimi përfundoi më 15 maj, ndërsa nesër (11 qershor) ata që janë regjistruar për maturë shtetërore do ta japin provimin e detyrueshëm ekstern – gjuhën amtare (maqedonase, shqipe, turke ose serbe), ndërsa kandidatët për maturë profesionale dhe për maturë shtetërore artistike do ta japin më 12 qershor. Pjesën e parë të lëndës zgjedhore eksterne maturantët e dhanë më 6 qershor.

Nga gjithsej 14 587 nxënës të regjistruar për dhënie të maturës, 12 184 janë paraqitur të japin maturë shtetërore, 2276 nxënës për maturë profesionale shtetërore dhe 127 janë paraqitur për maturë shtetërore artistike.

Gjysmëmaturantët, këtë muaj duhet të regjistrohen në vitin e parë të arsimit të mesëm. Nxënësit do të regjistrohen në mënyrë elektronike përmes portalit Uslugi.gov.mk me paralajmërim të veçantë për nxënës nga llogaritë e përdoruesve në schools.mk, ndërsa pastaj në shkollat në të cilat do të konkurrojnë do ta dorëzojnë dokumentacionin e nevojshëm.

Në qershor do të ketë dy regjistrime elektronike të nxënësve. Sipas Konkursit të MASH-it, i pari do të jetë prej orës 00:00 më 12 qershor deri në orën 23:59 më 15 qershor, ndërsa regjistrimi i dytë në afatin e qershorit do të bëhet më 23 qershor. Në afatin e regjistrimit në gusht do të ketë një regjistrim – më 20 gusht.

Me konkursin janë paraparë mbi 25.000 vende të lira në të gjitha 109 shkollat e mesme publike në shtet. Prej tyre, më shumë se 17.000 janë në arsimin profesional, afro 6.000 në gjimnaze dhe 570 vende të lira në arsimin artistik.