Sonte sfida kundër Serbisë, përballja e tretë e fushatës kualifikuese të Kupës së Botës 2026 për Shqipërinë. Një ndeshje delikate, të cilën kuqezinjtë duhet ta fitojnë që të mbajnë gjallë shpresat për një kualifikim të mundshëm në Botëror.
Ndeshja do të luhet në “Arenën Kombëtare” në Tiranë, me fillim nga ora 20:45.
Një skuadër gjyqtarësh italianë do të vendosë drejtësi në këtë takim. Arbitër kryesor do të jetë Davide Massa, ndërsa Filippo Meli dhe Ciro Carbone do të jenë asistentët e tij. Gjyqtar i katërt do të jetë Fabio Maresca, ndërsa Aleandro Di Paolo do të jetë arbitër i VAR.
Policia e Shtetit ka njoftuar se, për shkak të eskortës së ekipit serb gjatë nisjes për stërvitje dhe ndeshje, do të ketë bllokime të pjesshme të trafikut në segmentin rrugor nga hoteli ku është akomoduar skuadra deri te stadiumi. Kufizimet pritet të nisin rreth orës 18:45 dhe do të zgjasin deri në 25 minuta gjatë secilit kalim të eskortës.
