Gjashtë kandidatët kryesorë për kryetar të ri të Komisionit Evropian do të marrin pjesë në debatin i cili sonte do të emetohet drejtpërdrejtë nga Parlamenti evropian në Bruksel përmes Eurovizionit.
Para zgjedhjeve evropiane, të cilat do të mbahen prej 23 deri më 26 maj, votuesve evropianë do t’u prezantohen Manfred Veber nga Partia Popullore Evropiane, Frans Timermans, kandidati kryesor i Socialdemokratëve, Margaret Vestager nga Aleanca e Liberalëve dhe Demokratëve për Evropë, Ska Keler nga grupi të Gjelbrit, Jan Zahradil nga Aleanca e Reformistëve për Evropë dhe Niko Kue nga E Majta Evropiane.
Kandidatët do të bisedojnë për gjashtë tema të konfirmuara paraprakisht, duke filluar nga emigracioni, papunësia e të rinjve në Evropë, ndryshimet klimatike, përmes politikës ditore dhe konkurrencës, tregtia ndërkombëtare dhe roli i BE-së në botë deri te çështjet për populizmin, hendekun demografik dhe relevancën e institucioneve.
Pritet që Parlamenti evropian pas inaugurimit të përbërjes së re më 2 korrik ta zgjedhë kryetarin e ri të Komisionit Evropian, trupi më i lartë ekzekutiv i BE-së.
Sipas rregullave të vendosura në zgjedhjet e kaluara evropiane në vitin 2014, grupe kryesore politike evropiane nominojnë kandidatë të vet. Të ashtuquajtur kandidatë kryesorë për funksionin e kryetarit të Komisionit Evropian.
Sipas rregullave, ai vend do të duhej t’i takonte kandidatit, partia e të cilit do të fitojë numër më të madh vendesh në Parlamentin evropian, pasi që do ta mbështesë edhe Këshilli i Evropës dhe do ta votojë shumica e deputetëve në Parlamentin Evropian.
Pritet që Partia Konservatore Evropiane Popullore (EPP) edhe kësaj radhe të ketë mundësi të emërojë kryetar të Komisionit Evropian.
Edhe pse në BE për momentin po zhvillohet debat rreth mënyrës dhe kushteve për zgjedhje të kryetarit të ardhshëm të Komisionit, pritet deputeti gjerman dhe lider i grupit të EPP-së në Parlamentin Evropian, Manfred Veber në nëntor ta zëvendësojë kryeminisitrin e dikurshëm të Luksemburgut, Zhan Klod Junker në funksionin kryetar i Komisionit Evropian./MIA
