Me ceremoni solemne në Stadiumin Nacional në Tokio pasdite sipas kohës së Evropës së Mesme zyrtarisht është lëshuar perdja e Lojërave Olimpike të 32-ta, të parat në histori të cilat u mbajtën pa praninë e publikut për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Mbyllja solemne filloi me një video kolazh me momentet më të mira gjatë dy javëve të kaluara në të cilat në betejat olimpike ishin ndarë 339 komplete të medaljeve. Pastaj në stadium hyri princi i kurorës japoneze Akishimo, i shoqëruar nga kryetari i Komitetit Ndërkombëtar Olimpik (KNO) Tomas Bah.
Vijoi prezantimi i flamujve shtetërorë të pjesëmarrësve në Lojëra, ndërsa sipas traditës, pastaj në stadium hynë sportistët mes vete të përzier në frymën e unitetit.
Shumica e pjesëmarrësve në Lojëra tashmë janë kthyer në vendet e tyre, sepse sipas protokolleve shëndetësore dhe të sigurisë, pjesëmarrësit e Olimpiadës duhej të largoheshin nga Japonia në afat prej 48 orëve nga paraqitja e tyre e fundit që të ulet rreziku nga përhapja e koronavirusit.
Kryetarja e Komitetit Organizativ, Seiko Hashimoto, theksoi në paraqitjen e saj se Olimpiada në Tokio solli Lojëra të frymëzimit dhe inspirimit.
“Sporti ka fuqi që ta ndryshojë botën dhe të ardhmen. Ndoshta zjarri olimpik sot do të shuhet, por shpresa asnjëherë”, tha Hashimoto, duke paralajmëruar Lojërat Paraolimpike, të cilat do të mbahen në Tokio nga 24 gushti deri më 5 shtator.
Lojërat filluan më 23 korrik dhe në to u prezantuan mbi 11.000 sportistë nga 206 shtete, si dhe ekipi olimpik i përbërë nga refugjatë.
Përbërja shtatanëtarëshe nga Maqedonia e Veriut u paraqit në tetë disiplina dhe fitoi një medalje, të argjendit në krah të Dejan Georgievskit në Taekvonvo në kategorinë deri 80 kilogramë.
Në Lojërat Olimpike në Tokio performuan edhe Borjan Brankovski në disiplinën 10 metra pistoletë ajrore, notuesit Filip Derkovski (400 metra të lira) dhe Mia Bllazhevska Eminova (100 metra të lira), xhudistja Arbëresha Rexhepi në kategorinë deri 52 kilogramë, atleti Jovan Stojovski (400 metra), karateistja Puleksenia Jovanovksa në kate dhe Magomedgaxhi Nurov në luftë të stilit të lirë deri 97 kilogramë.
Plasman më të mirë në tabelën e medaljeve realizuan sportistët amerikanë me 39 medalje të arta, një më shumë se Kina. SHBA-ja gjithsej fitoi 113 medalje, ndërsa Kina 88.
Individualisht, notuesi amerikan 24-vjeçar Kejleb Dresell është sportisti më i suksesshëm në Lojërat e 32-ta Olimpike në Tokio me pesë medalje të arta, ndërsa notuesja australiane 27-vjeçare Ema Mekio është fituesja më e madhe në mesin e sportisteve më katër medalje të arta dhe tre të bronzit.
Nikoqire e Lojërave Olimpike të 33-ta në vitin 2021 do të jetë kryeqyteti francez Parisi.
