Shkatërrimi i hapësirave të Inspektoratit të mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor është rasti i dytë brenda dy vjetësh që zjarri kaplon institucione shtetërore.
Para dy vjetësh zjarri shkatërroi dokumentet në katin e katërt të Ministrisë së Drejtësisë.
Por as pas dy vjetësh nuk dihen shkaqet. Pyetëm në Prokurorinë Themelore Publike, por pa përgjigje.
Shkaqet nuk dihen as për rastin e djeshëm edhe pse informacionet fillestare thanë se shkaktar është instalimi elektrik.
“Vazhdon kontrolli edhe sot. Pasi të grumbullohen materialet, rasti kalon në Prokurori Publike”, njoftuan nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Invertari largohej kurse po sanohej edhe gypi i rrjetit të ngrohjes. Ende vinte erë zjarri.
Ka shpëtuar vetëm softueri sepse ka qenë larg dhe me këtë edhe raportet të cilat kanë qenë të ruajtura në formë online. Nëse Qeveria u siguron hapësira të reja, Inspektorati është i gatshëm të vazhdojë me punë prej nesër, siguroi drejtori Fejzulla Spahija.
“Të gjithë dokumentacionin e kemi. Do të thotë janë djegur zyrat, kompjuterët, softueri nuk është prekur se ka qenë shumë larg nga atje. E gjithë evidenca është ruajtur dhe nuk ka humbur asgjë. Prej nesër na duhen hapësira dhe të fillojmë atje ku kemi mbetur”, tha Fejzulla Spahija, drejtor i MJPH.
Për opozitën djegia e djeshme dhe ajo e para dy vjetëve janë të dyshimta. Thonë se po përpiqet të fshihen gjurmë nga keqpërdorimi i raporteve nga projekte të Bashkimit Evropian. Akuzat janë të pabaza reagoi Spahija.
“Janë djegur dokumente që tregojnë se ka keqpëdorime të parave nga fondet evropiane, të cilat kanë qenë të arkivuara në këtë objekt”, theksoi Dimçe Arsovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.
“Ajo çfarë e thonë ata ajo është gabim, ne skemi punë me porjekte të Bashkimit Evropian. Opozita mund të flasë çfarë të dojë, por aty ska asgjë”, u shpreh drejtori i MJPH-së, Fejzulla Spahija.
Ndërkaq nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor kanë njoftuar se nga zjarri që shpërtheu dje në ora 7 të mëngjesit, janë shkatërruar tre zyra të Inspektoratit dhe zyra e Departamentit për komunikim të ministrisë. Të dëmtuara janë edhe zyrat e Agjencisë së Lajmeve MIA.