Me kërkesë të Bullgarisë, në seancën e Këshillit Europian në Bruksel do të ngrihet çështja për Maqedoninë. Kryeministri bullgar Dimitar Gllavçev do të kërkojë nga kolegët e vendeve anëtare të miratojnë një tekst shtesë. Në të insistohet që BE të konfirmojë se qëndron prapa asaj që është dakorduar me propozimin francez që i përfshin edhe ndryshimet kushtetuese.
“Shohim deklarata të liderëve të partive por edhe të funksionarëve qeveritarë në Republikën e Maqedonisë së Veriut se nuk do t’i realizojnë ndryshimet kushtetuese dhe thjeshtë do t’i informoj kolegët e Këshillit Europian për qëllimet dhe të rikujtohemi se çfarë u miratua me këtë rast”, tha Dimitar Gllavçev, kryeministër i Bullgarisë.
Në praktikë, po të miratohet ky tekst, ulen shpresat e liderëve të vendit tonë se ka mundësi për ndryshim të kornizës negosiuese ndërsa ndryshimet kushtetuese mbeten parakushti i vetëm për hapjen e kapitujve për negociata. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e pushtetit presin ndryshim të asaj që është dakorduar mes Shkupit dhe Sofjes, me ndërmjetësim të palës së tretë.
“Edhe pse kjo çështje do të zgjidhet në relacion Shkup-Sofje, megjithatë do të zgjidhet me ndërmjetësimin e partnerëve tanë të huaj”, deklaroi Maksim Dimitrievski, Lëvizja ZNAM.
Dimitrievski thotë se bashkësia ndërkombëtare tani ka një sjellje të ndryshuar ndaj pushtetit aktual.
“Maqedonasit janë më të bashkuar tani. Kur janë maqedonasit të bashkuar në sytë e faktorit ndërkombëtar, punët zhvillohen pak ndryshe. Tashmë nuk keni hapësirë të madhe si në të kaluarën, dikush të ushtrojë presion të vazhdueshëm brenda por edhe nga jashtë”, tha Dimitrievski.
Dimitrievski nuk u përgjigj konkretisht nëse kur flet për ndërmjetësimin mes Shkupit dhe Sofjes, mendon për misionin e ekspertit belg Piter Vanhojte, i cili gjatë muajve të kaluar është në Maqedoni për ta lehtësuar procesin e ndryshimeve kushtetuese. Jozyrtarisht Vanhojte ka plan në tryezë, ndërsa këtë informacion një kohë më parë e konfirmoi edhe kreu i Besës, Bilall Kasami. Pas takimit me Vanhojte, Kasami shkroi se e ka përshëndetur “planin e tij tejet ambicioz për rrugën eurointegrative të Republikës së Maqedonisë së Veriut”.
Paraprakisht edhe zv/kryeministri i parë Izet Mexhiti konfirmoi se ka bisedime me faktorin ndërkombëtar që VMRO-DPMNE të marrë garanci se ndryshimi i Kushtetutës është kërkesa e fundit e Bullgarisë. Për garanci të ngjashme foli edhe presidentja Gordana Siljanovska-Davkova gjatë vizitës së saj në Romë ku ka kërkuar që Maqedonia të marrë garanci se vetoja nuk do të keqpërdoret.
