Sociologët: Prindërit shqiptarë të heqin dorë nga edukimi i vjetër

TË FUNDIT

Marrëdhëniet prind-fëmijë sot më shumë se kurrë janë të komplikuara; është një luftë brezash në koncepte e në mendësi, që shpesh agravon në situata të pakëndshme, deri në largimin e adoleshentëve nga shtëpia. Më i fundit ishte rasti i motrave Kajtazi në Durrës që ka shokuar mbarë opinionin publik dhe ka mobilizuar edhe sociologët të flasin dhe ta studiojnë rastin.

Ata mendojnë se të dyja palët kanë faj e përgjegjësi; nga njëra anë fëmijët që kërkojnë liri pa fund; duke abuzuar me jetën e tyre, ku synimet janë veshjet, qejfi dhe dalja, dhe nga ana tjetër janë prindërit të cilët nuk tentojnë të futen në botëkuptimin e adoleshentëve por aplikojnë një edukim të vjetër pa kuptuar që kohët kanë ndryshuar.
Sociologët mjaft të njohur Gëzim Tushi dhe Entela Binjaku për KosovaPress japin mendimet e tyre rreth rastit Kajtazi, si dhe analizojnë shkaqet, pasojat dhe zgjidhjet që duhet të gjejmë ne të gjithë, bashkë si shoqëri.

Në këndvështrimin e sociologëve, adoleshentët shqiptarë të prirur nga modele që i shohin në TV, in ternet, rrjete sociale etj, kërkojnë të bëjnë një jetë ndryshe nga sa pranon shoqëria jonë dhe kjo krijon përplasjet me prindërit. Megjithatë, edhe prindi ka vështirësi dhe është i vetëm në gjithë këtë përballje; shkolla tek ne nuk kujdeset për botëkuptimin e adoleshentëve, specialisti mungon kudo, ndaj e gjithë barra i mbetet prindit.

Lidhur me këtë rast dhe të tjerë të ngjashëm edhe sociologu, Gëzim Tushe thotë se është e vështirë të ndash sot përgjegjësinë mes prindërve dhe fëmijëve, pasi nga njëra anë janë prindërit që duhet të ndryshojnë mendësinë dhe të edukojnë në një mënyrë tjetër më moderne, duke hequr dorë nga metodat e vjetra të autoritetit të prindit dhe edukimit me shtypje e frustrim, dhe nga ana tjetër janë edhe adoleshentët që e teprojnë paksa me lirinë e marrë.

Nga ana tjetër vetë të rinjtë nuk janë pa faj. Sociologu Tushi thotë se i vjen keq që sot sheh adoleshentë pa synime dhe pa projekte në jetë, e vetmja gjë që ata duan të bëjnë është qejfi; të vishen; të dalin; të pijnë kafe e të kryejnë marrëdhënie seksuale. Por këto nuk janë vlera të familjes shqiptare që edhe në kohë më të vjetra ka ditur ta mbajë lart moralin e harmoninë në familje.

Po rasti i motrave Kajtazi nuk është i vetëm në Shqipëri, edhe pse bëri shumë bujë nga publikimi në media. Në çdo familje ka konflikte e probleme me adoleshentët, madje sipas të dhënave të fundit zyrtare këtë vit janë raportuar 80 adoleshentë të ikur nga shtëpia, por që më pas fatmirësisht janë gjetur./E.Duraj/