Skënderbeu sfidon Dinamon e Zagrebit, korçarët drejt historisë

TË FUNDIT

Vëmendja e shqiptarëve sot është e përqendruar tek “Elbasan Arena”, ku Skënderbeu do të sfidoj Dinamon e Zagrebit, në sfidën e parë të play-off-it të Ligës së Kampionëve.

Kampionët e Shqipërisë, që tashmë kanë siguruar pjesëmarrjen në fazën e grupeve të Europa League, sonte përballën me gjigantin kroat.

Korçarët janë të përgatitur dhe të motivuar si asnjë herë më parë për ballafaqimin me kroatët e rrezikshëm për shkak se Skënderbeu është afër historisë.

Një fitore eventuale dhe një rezultat i favorshëm në sfidën e kthimit në Maksimir, do ta fuste ekipin shqiptar në fazën e grupeve të Championist, e që do të ishte skuadra e parë në historinë e futbollit shqiptar që do të siguronte fazën e grupeve.

Trajneri Skënderbeut, Mirel Josa, e ka vlerësuar maksimalisht Dinamon e Zagrebit. Një ditë para ndeshjes trajneri “bardhekuq” ka deklaruar se skuadra e tij do të bëjë lojën që ka bërë gjithmonë në këto takime, duke synuar në fund fitoren.

“E kemi parë Dinamon e Zagrebit që është rritur nga ndeshja në ndeshje. Ne nu k mund të themi që si skuadër jemi të favorizuar nga shorti. Megjithatë ne do të luajmë lirshëm në këtë sfidë. Dinamo ka cilësi shumë të mira. Skuadra do mbrojë mirë pasi kjo na intereson që të mos pësojmë gol. Ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Për këtë kemi punuar gjatë gjithë kësaj periudhe dy javore”, ka thënë Jose.

“Skuadra ime nuk ka vetëkënaqësi. Nga ndeshja në ndeshje ne rrisim synimet pasi dhe ne kemi pretendimet tona. Ne duhet të paksojmë gabimet tona. Normalisht ky është takim shumë i rëndësishëm qoftë për mua qoftë për futbollistet dhe ne jemi të përgatitur për gjithçka”, ka theksuar Jose.

Përballja mes Skënderbeut dhe Dinamos pritet të mbush stadiumin e bukur “Elbasan Arena”, ndërsa ndeshja nis në orën 20:45.