SKANDALI ME GJYKATËSEN, E NXJERRIN NË YOUTUBE, DYSHOHET PËR RYSHFET PREJ 6500 EUROVE

TË FUNDIT

Një e punësuar në Gjykatën Themelore Shkup, në sektorin për konteste ekonomike me iniciale N.T. është incizuar si bën marrëveshje dhe merr ryshfet që të dakordojë një vendim gjyqësor, publikoi portali Dosie.

Në Youtube u publikua video incizim ku shihet personi duke numëruar  para dhe thotë se sigurt nuk po incizohet. E dyshuara e cila është në video incizimin edhe vetë kontrollon nëse dikush e incizon. 

“Për momentin PTHP po bën kontroll të incizimit dhe nëse ka elemente të veprës penale do të veprohet menjëherë”, thonë nga Prokuroria Themelore Publike.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë se ka denoncim për një person që punon në Gjykatën Themelore dhe se po veprohet.

“Në lidhje me këtë rast, ka denoncim dhe MPB po vepron në lidhje me të”, thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Përndryshe ky nuk është skandali i parë me video incizime në Gjykatën Themelore. Para dy muajve në Youtube u publikua një bisedë për transferim nga vendi i punës dhe aferë dashurie në një nga zyrat e Gjykatës Themelore Shkup – 2. Në video incizimin 40 minutësh shihet dhe dëgjohet se si bashkëpunëtorja ia “rreh” tavolinën gjykatësit dhe i thotë që bashkëshortja e tij do të largohet nga vendi i punës si sekretare dhe se do të jetë mësuese, ndërsa në vend të saj do të sjellë një vajzë nga Gostivari. Për këtë raste është ngritur procedurë dhe hetim. Megjithatë ende nuk ka përgjigje konkrete për pyetjen se kush i ka vendosur kamerat dhe se a është dënuar dikush për këtë rast.

Përgatiti: Arbana Q.Klimenta