“Kështu duket komunikacioni gjatë mesditës në rrugën Cvetan Dimov, të njohur ndryshe si Çairçanja. E para e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska gjatë fushatës zgjedhore pati premtuar se do të gjendet zgjidhje e re për këtë pjesë të qytetit.”, raporton gazetarja, Sara Kajolli.
“Këto mure betoni që të gjithë mund t’i shihni sot këtu, nuk janë zgjidhje e mirë për Qytetin. Këtu duhet të ketë zgjidhje të plotë për komunikacionin e cila do të jetë e mirë dhe e planifikuar mirë. Ky mur është vendosur në vend të shtimit të një korsie, si një premtim i papërmbushur i pushtetit të Qytetit. Për dallim nga zgjidhjet gjysmake, gjatë mandatit tim unë parashikoj realizim të projektit me zgjidhje të plotë, për të gjithë shkupjanet, por mbi të gjitha për çairasit”, tha Danella Arsovska, kryetare e Qytetit të Shkupit.
Tani më kaluan 3 muaj që kur Arsovska u zgjodh kryetare. TV21 pyeti në Qytetin i Shkupit se çfarë plani kanë për ta zgjidhur këtë problem, por përgjigje nuk morëm.
Ndërkohë pyetëm edhe në Komunën e Çairit, nga atje thonë se ka gatishmëri për të zgjidhur problematikën, por nuk japin ndonjë afat.
“Me kryetaren e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska kemi biseduar dhe në parim ka gatishmëri për të zgjidhur problematikën në rrugën “Cvetan Dimov”, pra jemi dakorduar që barrikadat e betonit janë një zgjidhje e përkohshme dhe ditët në vijim bashkë me shërbimet gjegjëse do ta hedhim idenë se cila zgjidhje do të jetë më e mirë dhe kuptohet më afatgjate. Me rëndësi është se këtë temë e kemi hapur dhe do të gjejmë zgjidhje afatgjate”, thanë nga Komuna e Çairit.
Kujtojmë se, barrikadat e betonit fillimisht janë vendosur me qëllim të rregullimit të komunikacionit në rrugën Çairçanja, por këtu trafiku vazhdon të jetë i dendur për gjatë gjithë ditës.
