Sivjet me keq se vjet

TË FUNDIT

Liria e medieve në Kosovë është përkeqësuar në krahasim me vitin e kaluar. Kosova sivjet ka rënë për dy pozita, ku zë vendin e 100-të, kurse vitin e kaluar ishte në pozitën numër 98. Kjo bëhet e ditur nga raporti i përvitshëm për lirinë e shtypit në botë, i cili mbulon 199 vende dhe territore, e që është publikuar sot nga Organizata Freedom House.

Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Zekirija Shabani, thotë se raporti nuk është befasues dhe se është pritur vlerësim madje edhe më negativ. Shabani shtoi se kërcënimet ndaj gazetarëve në Kosovë kanë tendenca të rritjes.

Në raportin e Freedom House, vendet e rajonit radhiten si vijon: Maqedonia në pozitën numër 125, Bosnja 108, Shqipëria 97, Serbia 82 dhe Mali i Zi 79. Të gjitha këto shtete bëjnë pjesë në kategorinë e vendeve pjesërisht të lira.

Në përgjithësi, organizata me seli në Shtetet e Bashkuara vlerëson se liria e shtypit në botë ka rënë në vitin 2014 në pikën më të ulët në më shumë se dhjetë vjet.

Freedom House thotë se Bjellorusia, rajoni i Krimesë i aneksuar nga Rusia, Irani, Turkmenistani dhe Uzbekistani janë në mesin e dhjetë vendeve dhe territoreve që kanë vlerësimet më të ulëta për lirinë e shtypit. Në krye të listës së vendeve të lira radhiten Norvegjia, Suedia dhe Belgjika.