Zjarri në rajonin e Pehçevës dhe Dellçevës, i cili është përhapur edhe në Berovë, vazhdon të jetë një nga më kritikët. Atje aeroplanët ende operojnë në përpjekje për ta shuar, pasi në rrezik janë disa fshatra, kurse flakët po përhapet edhe drejt malit Gollak. Luftën në mënyrë shtesë mund ta vështirësojë edhe era prej 70 km në orë, e cila paralajmërohet për sot.
“Zjarri në Dellçevë ende është aktiv dhe ai shuhet bashkë me zjarrin në Pehçevë, si një nga zjarret më të mëdha të cilat sot kërkojnë vëmendje më të madhe. Zjarri i ardhshëm është në rajonin e Berovës, gjegjësisht në fshatin Umllena. Bëhet fjalë për një zjarr i cili është pjesë përbërëse e zjarrit në rajonin e Pehçevës dhe Dellçevës, bëhet fjalë janë fshatrat Maçevë dhe Robovë”, deklaroi Goran Stojkovski nga Qendra për Menaxhin me Krizat.
Zjarr ka edhe në rajonin e Shën Nikollës, Shtipit dhe Prilepit, ku ka disa zjarre aktive, por janë vënë nën kontroll. Atje janë dërguar forca shtesë të Armatës. Gjendja në rajonin e Kumanovës mbetet kritike. Vetëm gjatë ditës së djeshme janë regjistruar 8 zjarre aktive, 7 prej të cilave janë shuar, por fshati Beljakovce ende është në rrezik.
“Janë dërguar 80 pjesëtarë të Armatës së Republikës së Maqedonisë që t’u japin ndihmë dhe mbështetje njësive territoriale kundër zjarrit në Kumanovë. Këtu janë përfshirë edhe ndërmarrjet publike dhe sigurisht se presim që edhe ky zjarr të vihet nën kontroll. Zjarr aktiv i cili zgjat tashmë dy ditë ka edhe në Komunën e Rankocit dhe Komunën e Kriva Pallankës, gjegjësisht në fshatin Gurincë”, shtoi ai.
Edhe sot do të fluturojnë helikopterë për t’i shuar zjarret, edhe atë një në Rajonin e Kumanovës, dhe 3 në Pehçevë dhe Dellçevë, por nëse kushtet e motit përkeqësohen, ata do të tërhiqen. Drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza, do të kërkojë që EVN-ja të ndërmarrë gjithçka që është e nevojshme me qëllim që kabllot të mos bëjnë masë elektrike.
“Në rajonin e Kumanovës kemi dëshmitarë të cilët kanë parë shkëndija nga telat, kurse zjarri në Bogosllovec ka shpërthyer nga telat që bënin masë elektrike. Kemi një dëshmitar i cili kur i ka parë shkëndijat, menjëherë ka vrapuar drejt vendit, por nuk ka mundur të bëjë asgjë, sepse zjarri po përhapej me shpejtësi të madhe, për shkak të barit të thatë dhe erërave që fryjnë vazhdimisht”, deklaroi Stojançe Angellov.
I pyetur nëse ka dhe si zhvillohet procesi i evakuimit të banorëve në pikat kritike, Angellovi thotë se evakuimi do të bëhet në fund dhe vetëm në raste kur zjarri do t’u afrohet shtëpive. Edhe vende të tjera dërgojnë ndihmë në luftën kundër zjarreve. I pari mbërriti ekipi i Serbisë me 4 helikopterë, pastaj Bullgaria dërgoi 25 zjarrfikës dhe 6 automjete të specializuara, kurse Sllovenia ndihmoi me 45 zjarrfikës dhe 11 automjete zjarrfikëse dhe transportuese me të gjitha pajisjet e nevojshme. Dje, mbërriti edhe një pjesë e ekipit austriak, kurse gjatë ditës pritet të vijnë edhe 140 zjarrfikës, 16 automjete kundër zjarrit, 14 kamionë, si dhe një ekip mjekësor.
