Situata me Kovid-19 serioze, nuk ka nevojë për gjendje të jashtëzakonshme, duhet të respektohen masat

TË FUNDIT

Situata me përhapjen e koronavirusit në vend është posaçërisht serioze, ndërsa qytetarët duhet t’i respektojnë me konsekuencë masat për mbrojtje – mbajtje të maskave, mbajtje e distancës dhe të mos grupohen. Vetëm dje janë regjistruar 862 raste të reja me Kovid-19 dhe 14 të vdekur. Në territorin e mbarë vendit ka 8587 raste aktive, ndërsa repartet infektive dhe spitali mobil tashmë janë mbushur dhe po lirohen spitale të tjera. Edhe përkundër gjendjeve të këtilla, kreu shtetëror është i mendimit se nuk ka nevojë për gjendje të jashtëzakonshme.

“Në mungesë të vaksinë dhe medikamentit për Kovid-19 nuk ka alternativë tjetër përveç respektimit konsekuent të protokolleve mbrojtëse, distancës fizike, mbajtjes së maskave dhe uljes drastike të numrit të shoqërimeve dhe tubimeve familjare. Bëjeni këtë për veten dhe për më të afërmit”, u bëri thirrje qytetarëve presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski pas përfundimit të mbledhjes së djeshme të Këshillit për siguri.

Situata aktuale me Kovid-19 dhe masat për shkatërrim të pandemisë ishte pika e vetme në mbledhje, ku mori pjesë edhe ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.

Shefi i shtetit Pendarovski theksoi se jemi dëshmitarë se situata nuk po përmirësohet, ndërsa çdo ditë kemi numër të madh të të sëmurëve, ndërsa numri i atyre që ndërruan jetë për shkak të Kovid-19, dukshëm u rrit.

“Nuk dëshiroj të kërkoj arsyetim për çdo hap të autoriteteve tona që është ndërmarrë në tetë muajt e fundit, megjithatë lidhur me pakon e masave të cilat autoritetet tona shëndetësore i zbatojnë qartë dhe se nuk ekzistojnë masa të cilat janë rekomanduar edhe nga OBSH apo zbatohen në disa shtete të tjera dhe japin efekte pozitive, ndërsa nuk zbatohen tek ne”, theksoi Pendarovski.

Pjesa kryesore e masave shëndetësore është e njejtë, sqaroi presidenti Pendarovski, dallimi është vetëm në nivelin e respektimit të tyre nga ana e qytetarëve dhe niveli i implementimit të ligjeve nga ana e institucioneve shtetërore.

Personalisht nuk pret që kjo situatë, siç theksoi, të shfrytëzohet për marrje të pikëve politike.

Presidenti Stevo Pendarovski, kryeministri Zoran Zaev dhe ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe pas takimit theksuan se nuk ka nevojë për vendosje të gjendjes së re të jashtëzakonshme dhe se masat e deritanishme për mbrojtje nga Kovid-19 janë në drejtim të mbrojtjes maksimale të shëndetit të qytetarëve.

Shefi i shtetit tha se për këtë nuk është biseduar dhe se gjendja e jashtëzakonshme nuk është opsion sepse nuk ka njohuri dhe vlerësime se nëse shpallet, do të mposhtet virusi. Mbetet në mendimin se vendi i vërtetë për diskutim për këtë temë duhet të jetë Parlamenti.

“Atëherë nuk kishim Kuvend funksional, kishim qeveri teknike dhe obligimi ra tek unë. Atëherë motive parimor që të deklaroj gjendje të jashtëzakonshme, Qeveria, në mungesë të Kuvendit funksional të sjell dekrete me forcë ligjore. Tani kemi Kuvend funksional për të sjell ligje”, ka thënë Pendarovski, duke sqaruar se nuk ka lidhje gjendja e jashtëzakonshme me orën policore.

Megjithatë, thotë, është i gatshëm, nëse Qeveria kërkon si komandant suprem i forcave të armatosura, të vendosë në disponim sa nevojitet pjesëtarë të Armatës si mbështetje logjistike në luftën kundër pandemisë.

As kryeministri Zaev nuk sheh nevojë për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme.

“Nuk na duhet gjendje e jashtëzakonshme, që Qeveria të shpall orë policore use karantinë. Parlamenti funksionon. Mua më frikëson mundësia jo e hapur për onllajn punë të Parlamentit sepse siç kam informacione, ndoshta nuk i kam të sakta, nga konstizuimi i Parlamentit deri më tani kemi më shumë se 10 për qind të të infektuarve ose në vetëizolim”, ka thënë Zaev duke shtuar se pret që masat t’I japin rezultatet e pritura.

Qëndrimi i ministrit Filipçe është se restriksioni i lëvizjes nuk do të ketë asnjë efekt.

“Në fillim të pandemisë ka ekzistuar mendim në shtetet se restriksioni në lëvizje do ta shuajë virusin, por kjo nuk ka ndodhur. Si duket ky virus ka karakteristika krejtësisht ndryshe nga grupi i njëjtë i viruseve. Tani, definitivisht është e qartë se virusi është këtu dhe se duhet të jetohet me të. Prandaj janë këto masa që tani vendosen edhe në shtete të tjera, ndërsa do të thotë mbajtje e obligueshme e maskës, shmangie e grupimeve dhe zhvillim normal të të gjitha proceseve jetësore”, deklaroi Filipçe.

Presidenti Pendarovski pas mbledhjes së Këshillit për Siguri paralajmëroi se deri në fund të vitit do të organizohet debat edhe për ndotjen e ajrit, në prani të të gjithë anëtarëve të Këshillit për siguri, plus persona të tjerë jashtë përbërjes ekzistuese, sepse është i pakontestueshëm relacioni, siç tha, mes ndotjes së ajrit dhe pandemisë.