“Situata është stabile, s’priten probleme të sigurisë” – konstatim pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë

TË FUNDIT

Situata është stabile dhe nën kontroll, nuk pritet të ketë probleme të sigurisë” është konstatimi kryesor i dal nga mbledhja e dytë e Këshillit të Sigurisë së Maqedonisë së Veriut. Presidentja e shtetit Gordana Siljanovska Davkova tha se përskaj problemeve në shtetin fqinjë me krizën institucionale të Kosovës dhe situatën me Serbinë, kjo gjendje nuk ndikon në sigurinë e shtetit tonë.

“Gjendja politike në Kosovë, siç e dini që është në një krizë institucionale për shkak të pamundësisë së konstituimit të organeve të shtetit dhe kuptohet gjendja në fqinjin Serbinë, ku gjithashtu ka shumë probleme serioze. Megjithatë, thash se nga argumentet dhe të dhënat erdhëm në përfundim se pas këtyre problemeve dhe sfidave nuk pritet ato të ndikojnë ndaj gjendjes së sigurisë së Maqedonisë”, tha Siljanovska.

Presidentja Davkova foli edhe për zjarret, që sipas saj shumica nuk janë nga temperaturat e larta por supozohet të jenë zjarrvënie të qëllimshme dhe u mbetet organeve hetimore t’i procedojnë rastet. Për këtë arsye i pranishëm në mbledhje ishte edhe Stojançe Angellov nga Drejtoria për Mbrojtje e Shpëtim.

“Pjesa më e madhe e zjarreve nuk janë për shkak të temperaturave të larta, por ka dyshime të bazuara se janë zjarrvënie të qëllimshme. Kjo kuptohet që derisa bëhet fjalë për procedurë parahetimore, ato janë vetëm supozime”, tha Siljanovska.

Në Këshillin e Sigurisë, me ftesë të presidentes Siljanovska Davkova, morën pjesë drejtori i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, Bojan Hristovski dhe drejtoresha e Agjencisë së Inteligjencës, Gabriella Jakovleva.

“Në mbledhjen e dytë të Këshillit të Sigurisë u përmenden edhe zgjedhjet lokale, ndonëse nuk ishin në rend të ditës, u sugjerua që mos të lejohet të lirohen kriminelë nga burgjet, siç tha Presidentja, gjë e cila ka ndodhur në fushata e mëparshme parazgjedhore”, raporton Adnan Qaili, gazetar i TV21.

Anëtarë të Këshillit të Sigurisë sipas funksionit janë: Afrim Gashi, kryetar i Kuvendit; Hristijan Mickoski, kryetari i Qeverisë; Pançe Toshkovski, ministër i Punëve të Brendshme; Vllado Misajllovski, ministër i Mbrojtjes; si dhe tre anëtarët e emëruar nga presidentja: Xhevdet Hajredini, Malinka Ristevska-Jordanova dhe Vllado Spiridonov. Timço Mucunski, Ministër i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, nuk ishte prezent për shkak të udhëtimit zyrtar jashtë shtetit.