Mbi 500 ditë pa kontratë mirëmbajtjeje nga 1.800 sa është në funksion, si dhe një sërë mangësish teknike e njerëzore, ka konstatuar Enti Shtetëror i Revizionit gjatë kontrollit së përdorimit të Sistemit për Planifikim të Integruar të Resurseve. Ky sistem, pronë e Ministrisë për Transformim Digjital dhe i menaxhuar nga Shërbimi për Çështje të Përgjithshme të Qeverisë, duhet të sigurojë kontroll mbi punën financiare të 40 institucioneve, si dhe planifikim buxhetor më të mirë dhe më efikas.
Por, të gjitha këto 40 institucione përdorin vetëm një opsion – modulin për punën financiare.
“Dy prej moduleve të parashikuara për ndjekjen e realizimit të kontratave dhe për punën buxhetore nuk përdoren fare”, thuhet në raportin e Revizionit.
Nga Qeveria thonë se kjo situatë është duke u ndryshuar dhe, nëse nuk gjendet zgjidhje, do të shqyrtohet mundësia për një sistem të ri softuerik. Ky sistem është me rëndësi të madhe, pasi përmes tij planifikohen dhe kontrollohen shpenzimet e parasë publike.
“Kontrata parashikon të gjithë modulet, por deri më tani është përdorur vetëm një pjesë. Nëse nuk arrihet përmirësimi i nevojshëm për funksionalitet të plotë, do të shqyrtohet opsioni për një zgjidhje të re softuerike, e përshtatur për nevojat specifike, për unifikim dhe optimizim të punës kontabël dhe financiare të organeve shtetërore”, tha Marija Miteva, zëdhënëse e Qeverisë.
Sistemi ka edhe probleme teknike dhe mungesë të mbrojtjes adekuate të të dhënave: pronësia e të dhënave nuk është e definuar, mungojnë politikat e sigurisë, përdoren sisteme operative të vjetra, qasja VPN bëhet me fjalëkalime të përbashkëta dhe pa autentikim të dyfishtë, rezervë e pasigurt dhe module të paintegruara. Kjo sjell rrezik nga qasje e paautorizuar, gabime teknike dhe procese jofunksionale në institucionet përdoruese.
Nga Ministria e Transformimit Digjital thonë se dobësitë do të eliminohen deri në pranverë të vitit 2026 dhe se sistemi duhet të kalojë nën kompetencën e tyre, jo të Shërbimit të Përgjithshëm të Qeverisë, në mënyrë që të ofrohet edhe për institucione të tjera falas.
“Të gjitha mangësitë teknike të evidentuara nga Enti i Revizionit po tejkalohen në bashkëpunim me operatorin ekonomik që menaxhon sistemin e planifikimit të integruar të resurseve”, tha Stefan Andonovski, ministër i Transformimit Digjital.
Andonovski kujtoi se kjo gjendje është trashëguar nga qeveria e kaluar dhe se revizioni është kryer deri në fund të vitit 2024.
Qëllimi bazë i Planifikim të Integruar të Resurseve është të sigurojë të dhëna të sakta dhe në kohë për planifikim dhe buxhetim më të mirë, të automatizojë dhe thjeshtojë proceset, të ulë kostot dhe gabimet, si dhe të rrisë transparencën, llogaridhënien dhe të zvogëlojë rrezikun e keqpërdorimeve.