Sistem i baterive për tepricën e energjisë! Blerja e baterive do t’i kushtojë prodhuesit deri në 20% të investimit

TË FUNDIT

Prodhuesit e rrymës së prodhuar nga burime ripërtëritëse të energjisë, sidomos përmes fotovoltaikëve, në të ardhmen do të duhet të blejnë bateri për ta ruajtur tepricën e rrymës së prodhuar brenda ditës, veçanërisht gjatë verës. Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, thotë se me këtë më shpejt do të bëhet tranzicioni në sektorin energjetik, për shkak të faktit se shfrytëzimi i burimeve ripërtëritëse të energjisë është gjithnjë e më i madh.

“Pothuajse ka “bum” në fushën e investimeve në burime ripërtëritëse të energjisë në vendin tonë. Prandaj, do të doja që edhe përmes juve, mediave, t’u bëj thirrje të gjithë investitorëve potencialë që t’i ndjekin me kujdes të gjitha procedurat, me qëllim që të mos vijmë në situatë të kemi më shumë prodhim, sesa nevojat që i ka shteti”, tha Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.

Kryetari i Asociacionit Energjetik të Maqedonisë, Koço Angjushev, tha se në qoftë se nuk rregullohet, prodhimi i energjisë elektrike nga burime ripërtëritëse mund të shkaktojë edhe probleme. Bateritë mund të jenë nga 1 deri në 10 kilovatë orë për amvisëritë, nga 300 deri në 500 kilovatë orë për objektet industriale e deri disa megavatë orë që do të jenë pjesë e kapaciteteve ekzistuese.

“Të gjithë fotovoltaikë prodhojnë në të njëjtën kohë energji elektrike dhe praktikisht 80% nga energjia elektrike gjatë vitit i prodhojnë nga prilli deri te shtatori dhe prej orës 9 deri në orën 17, nuk guxojmë të lejojmë që në atë periudhë të ketë teprica të mëdha me mijëra megavat për shkak se në atë rast nuk do të dihet se çfarë do të bëhet me këtë energji elektrike”, tha Koço Angjushev, Asociacion energjetik i Maqedonisë.

Por vetë mënyra e ruajtjes së tepricave të energjisë elektrike do të paraqesë shpenzim shtesë për prodhuesit për shkak se vetë ata do të duhet t’i blejnë sistemet e baterive. Vlerësimet tregojnë se çmimi i tyre mund të arrijë rreth 20% të investimit të përgjithshëm, por sipas kreut të KRrE-së, kjo do të jetë e dobishme në aspekt financiar sepse do të kenë për të ofruar energji elektrike për një periudhë më të gjatë e jo vetëm gjatë ditës.

“Varësisht nga kapaciteti i baterive, kjo do të jetë diku 10 deri 20% nga investimi i tyre, por nuk do të pësojnë humbje këta investitorë për shkak se do të kenë produkt shumë më të mirë për në treg, nuk do të jetë vetëm prej orës 9 deri në 17 kur realisht ka ofertë më të mirë se sa kërkesë, por do të kenë ofertë edhe për periudhën pas orës 17, 18, kështu që do të kenë ofertë të energjisë elektrike për një periudhë më të gjatë kohore”, tha Marko Bislimovski, kryetar i KRRE-së.

Në takimin e sotëm në Odën ekonomike u dakordua formimi i grupeve të punës me qëllim që të përshpejtohet procesi që do të mundësojë një lloj sigurie dhe parashikueshmëri për investitorët në të ardhmen, për çka sa më shpejt që është e mundur duhet të ketë edhe ndryshime ligjore.