Siria do t’i mbajë sot zgjedhje parlamentare për herë të parë që nga rrëzimi i sundimtarit autoritar Bashar al-Asad, një hap kyç në tranzicionin e brishtë politik të vendit pas më shumë se një dekade lufte..
Në këtë proces nuk do të ketë votë direkte për Asamblenë e Popullit, e cila do të jetë përgjegjëse për legjislacionin gjatë periudhës tranzitore.
Të ashtuquajturat “kolegje zgjedhore” do t’i zgjedhin përfaqësuesit për dy të tretat e 210 ulëseve.
Presidenti i përkohshëm Ahmed al-Shara do ta përzgjedhë pjesën tjetër.
Ish-presidenti Asad është rrëzuar nga pushteti nga forcat e Sharas 10 muaj më parë, pas 13 vjetësh luftë civile.
Autoritetet kanë thënë se i kanë shtyrë zgjedhjet për arsye të sigurisë në dy provinca të kontrolluara nga kurdët, dhe një tjetër provincë në të cilën ka pasur luftime të përgjakshme mes forcave qeveritare dhe militantëve druzë.
Në një fjalim të mbajtur javën e kaluar në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara – i pari prej një presidenti sirian në 60 vjetët e fundit – Shara ka premtuar se do të ketë drejtësi për çdo konflikt të përgjakshëm, si dhe për ata që kanë kryer mizori nën regjimin e Asadit.
Ai është zotuar që Siria është “duke rindërtuar veten përmes një shteti të ri, po ndërton institucione dhe ligje që garantojnë të drejtat e të gjithëve, pa asnjë përjashtim”.
Zgjedhjet e së dielës do të mbikëqyren nga një komitet i lartë prej 11 anëtarësh, i cili është zgjedhur nga presidenti në muajin qershor.
Numri i ulëseve, që do të ndahet për 60 distrikte, bazohet në të dhënat e regjistrimit të vitit 2010 – një vit para se shteti të përfshihej në luftën civile, e cila ka lënë të vrarë më shumë se 600.000 njerëz dhe i ka zhvendosur 12 milionë të tjerë.