Ky është sulm brutal politik, deklaroi nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Nikollovski duke e komentuar aksionin e sotëm policor kundër ish funksionarëve, avokatëve dhe të punësuarve në administratë. Ai konfirmoi se janë arrestuar dy funksionarë të tyre dhe nëpunës. Nikollovski tha se janë arrestuar edhe 6 gra të cilat ishin nëpunëse në institucionet shtetërore. Nikoollovski e pyeti publikisht Kryeministrin se pse nuk ka asnjë aksion kundër, siç tha, funksionarëve dhe kryetarëve komunash të LSDM-së për të cilët gjatë muajve të fundit u publikuan shumë skandale.
“Siç paralajmëroi vetë Zaevi para disa muajsh, pushteti ka ngritur 750 raste kundër anëtarëve të VMRO-DPMNE-së. Paramendoni, kryeministri i shtetit i cili nuk duhet të përzihet në punën e prokurorisë dhe gjyqësisë, e di saktë se sa raste janë ngritur kundër anëtarëve të VMRO-DPMNE-së. Ketë mëngjes e hapën rastin 715, për shkak se dje dhe pardje kishin debakël me zgjedhjen e Qeverisë, sepse dje dhe pardje Zaev dinte se nuk mund të jetë edhe kryeministër edhe ministër i financave, andaj nuk dinte se si të dalë nga kjo situatë ku dëshiron në mënyrë të drejtpërdrejtë ta kontrollojë arkën shtetërore që të mund të vazhdojë të funksionojë aksioni euro për euro”, deklaroi nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Nikollovski.
