Sipas Gjuriqit,rezultati i takimit në Bruksel është 5:0 për Serbinë

TË FUNDIT

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe Marko Gjuriq ka deklaruar se rezultati i raundit të sotëm të negociatave ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës në Bruksel është 5:0 për Serbinë dhe se, krahas katër marrëveshjeve të nënshkruara, triumfi i pestë është arritja e përkrahjes për hapjen e kapitujve për negociata me Bashkimin Evropian.

“Kur me zhargonin sportiv them se rezultati është 5 me 0 për Serbinë, mendoj në katër marrëveshjet (e nënshkruara sot në Bruksel) dhe pikën e pestë – faktin se Serbia definitivisht me siguri do të fitojë përkrahje pakrahasueshëm më të madhe për euro-integrimet, përfshirë edhe hapjen e kapitujve”, deklaroi Gjuriq për televizionin B92.

I pyetur të arsyetojë se çfarë përmbajnë marrëveshjet për Asociacionin e Komunave Serbe, energjetikën, telekomunikacionet dhe urën mbi Ibër, që u nënshkruan në Bruksel, Gjuriq tha se ASK do të ketë autorizime serioze ekzekutive, president dhe kuvend të vetin dhe lidhje të drejtpërdrejta me Serbinë.

Rreth formimit të ASK-së, ai tha se në dispozicion janë katër muaj për hartimin e Statutit të Asociacionit dhe se këto do të jenë debate sfiduese, porse marrëveshja kryesore politike është arritur.

Për marrëveshjen për energjetikën , shefi i zyrës serbe për Kosovën tha se kjo ka qenë një punë “mjeshtërore dhe thuaja filigrane” e kryeministrit dhe delegacionit serb, sepse çështja e pronësisë në asnjë mënyrë nuk është prejudikuar, ndërsa Serbia ka ftuar kompaninë e vet për furnizim dhe kompaninë e vet për distribuim.