Pasi i dha policisë urdhër që të largohen dhe të mos i pengojnë punimet për vendosjen e sistemit të ujësjellësit në Siniçan të Bogovinës, dhe pasi policia nuk e zbatoi fjalën e saj, Prokurorja Lejla Kadriu komunikoi në telefon me Kryeministrin Oliver Spasovski, e i cili, sipas Kadriut, i ka quajtur banorët dhe prokuroren kriminelë.
Prokurorja Lejlja Kadriu: “Kryeministri, nuk dha asnjë arsyetim se pse nuk e tërheq policinë, por mu drejtua se ne këtu jemi kriminelë. 5 mijë banorët që protestojnë këtu, në kohë të pandemisë, kur e gjithë bota mban maska, kur i lajnë duart nga 50 herë në ditë, Kryeministri na thirri kriminelë, edhe banorët që protestojnë këtu, edhe mua”.
TV21 – Juve ju tha kriminel?
Prokurorja Lejlja Kadriu: “Po, se i mbrokam unë si Prokurore kriminelët”!
Kryeministi Oliver Spasovski hedh poshtë pohimet e Prokurores. Për TV21 ai pohon se në telefon i është lajmëruar vetë prokurorja, ndërsa ai i ka thënë se nuk ka nevojë të lajmërohet te kryeministri dhe se ka kryeprokuror me të cilin duhet të flasë.
Oliver Spasovski: “E vetmja gjë që për mua është e rëndësishme është që të veprohet sipas ligjit, Kushtetutës, të mos lejohet që të kemi anarki dhe veprime jashtë rregullave ligjore. Gjithçka tjetër është punë e prokurorisë”.
TV21- A e keni përdorur diku fjalën “krim”, “kriminel”, sepse kjo është fjala që vret më shumë?
Oliver Spasovski: “Unë nuk e di se çfarë dhe si e ka thënë prokurorja. Unë nuk e kam dëgjuar deklaratën. Unë edhe një herë e them se e dematoj dhe me indinjatë hedh poshtë deklarata të këtilla, e nëse kështu janë thënë në publik, kjo është shpifje”!
Spasovski thotë se i mbështet banorët e Siniçanit në zgjidhjen e problemit të tyre, ndërsa shton se kjo zgjidhje do të vijë në kuadër të kornizave ligjore, me dokumentacionin e nevojshëm, projekt dhe leje ndërtimi nga ana e Komunës. Qeveria është e gatshme të ndihmojë në gjithçka që është në interesin qytetar, thotë Spasovski.
