Sindikata kërkon rritje page për ushtarët! Ministria sqaron shtesat dhe mundësitë për ushtarët mbi 45 vjeç

TË FUNDIT

Sindikata e Pavarur e Mbrojtjes kërkon rritje të pagës bazë me 20%. Kryetari Mario Jurishiq deklaroi se në dy vitet e fundit, paga e personelit ushtarak dhe punonjësve të mbrojtjes nuk është rritur fare. Kërkoi rishikim dhe një zgjidhje të statusit të ushtarëve profesionistë deri në pension.

“Nëse e llogarisim pagën e të punësuarve të mbrojtjes, në të gjitha nivelet, ushtar profesional, civil, nënoficer dhe oficer, do të shohim se pagat janë të njëjta edhe në shkurt të 2024, por edhe në dhjetor me pagën e fundit të vitit 2025. Për këtë arsye kërkojmë që ky sistem të rishqyrtohet sepse pjesëtaret tonë nuk mund t’i blejë gjerat e njëjta me atë pagë që i ka blerë në shkurt të 2024 dhe të blejë të njëjtat në vitin 2025”, u shpreh Mario Jurishiq – kryetar i Sindikatës së pavarur të mbrojtjes.

Jurishiq bëri të ditur se për kërkesat e tyre janë takuar edhe me Ministrin e Mbrojtjes, por u është bërë e ditur se nuk janë planifikuar rritje të pagave.

Me reagim doli Ministria e Mbrojtjes, nga ku theksojnë se çdo kërkesë sindikale duhet të shqyrtohet përmes dialogut dhe punon vazhdimisht për përmirësimin e kushteve të punës për pjesëtarët e Ushtrisë dhe punonjësit e saj. Sipas tyre, për herë të parë, paguhen rregullisht të gjitha kompensimet sipas Marrëveshjes Kolektive, duke përfshirë qira, ushqim, transport dhe shtesa për orët shtesë, punën natën dhe detyrat e angazhimit, duke e shtuar mbi pagën bazë. Paga mesatare e një ushtari profesional është rreth 35.700 denarë dhe e një koloneli 70.200 denarë, thonë nga Ministria, duke shtuar se shtesat e tjera e ndryshojnë ndjeshëm shumën totale nga ajo që u tha në konferencën e sotme të Sintikatës.

“Dëshirojmë të theksojmë se për shkak të vendimeve të marra nga Qeveria e mëparshme në vitet e fundit është shkaktuar dëm i madh për vetë pjesëtarët, dhe për këtë edhe për buxhetet e mbrojtjes për vitin e kaluar dhe para vitit të kaluar, për të cilat vetëm në këtë vit e gjysmë janë paguar shuma të mëdha bazuar në vendime gjyqësore dhe ekzekutive. Si ilustrim, në vitin 2025, në dy raste, maj dhe dhjetor, janë paguar 107 milionë denarë për mjete financiare të papaguara për vitet 2019, 2020 dhe 2021 për orët shtesë të pjesëtarëve të Ushtrisë”, thonë nga Ministria e Mbrojtjes.

Nga Ministria e Mbrojtjes po ashtu njoftojnë se pjesëtarët që arrijnë 45 vjeç mund të zgjedhin midis kompensimit në dy paga mesatare për vit shërbimi ose të vazhdojnë punën si civilë në Ushtri ose institucione të tjera, ndërsa po shqyrtohen mundësi për të mbajtur disa ushtarë pas 45 vjeç në shërbime specifike. Sipas njoftimit, kjo iniciativë do të përgatitet në koordinim me sindikatat për të siguruar zgjidhjen më të mirë.