Sindikata e Arsimit: Grevë edhe nesër

TË FUNDIT

Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës, përmes një komunikate për media thekson se grevës i janë përgjigjur rreth 99 % të institucioneve arsimore në nivel vendi, dhe sipas tyre greva do të vazhdojë edhe nesër deri në realizimin e kërkesave të tyre.

SBASHK-u kërkon mirëkuptim nga nxënësit dhe prindërit për ndërprerjen e procesit mësimor dhe kërkuan nga Qeveria që t’i përmbushë obligimet e veta në mënyrë që greva të jetë sa më e shkurtër. “Ashtu siç kishte vendosur Këshilli Drejtues i SBASHK-ut të mërkurën filloi greva e përgjithshme në Arsimin Parauniversitar dhe në atë Universitar të Kosovës. Sipas informatave që kemi nga Këshillat Greviste Komunale grevës i janë përgjigjur rreth 99 % të institucioneve arsimore në nivel vendi (nga 1125 institucione arsimore grevën e kanë thyer vetëm 17 shkolla)”, thuhet në komunikatë e Sindikatës së Arsimit.

Siç njofton Sindikatë, në grevë sot kanë qenë edhe 14 fakultete nga 17 fakultete sa janë gjithsej.
Ndonëse Sindikata thekson se ka informacion se në 7 a 8 komuna janë shpërndarë lista të reja, nga Ministria e Arsimit, sipas tyre edhe në këto lista ka gabime në vitet e përvojës së punës e veçmas te punëtorët tekniko-ndihmës, “ po thuaj se për të gjithë ata është marrë përvoja e punës 10 vite’ thuhet në komunikatë.

“Deri në momentin kur po lëshohet kjo komunikatë nga informatat e Këshillave Greviste Komunale nuk ka ndonjë lajm për ndonjë ndryshim që do të ndikonte në marrjen e ndonjë veprimi tjetër. Kështu që greva do të vazhdojë me të njëjtin orar sikur sot”, përfundon komunikata./ 21MEDIA