Papunësia dhe trajtimi i ekonomisë joformale – kanë qenë temat kryesore të takimit të përbashkët të Këshillit të Sindikatave me emrin “Solidariteti”, ku bëjnë pjesë disa vende të Ballkanit, kryesisht nga ish-republikat e Jugosllavisë.
Në këtë takim në Shkup, ku nikoqire ishte Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë, morrën pjesë sindikatat e vendeve të rajonit, Sllovenia, Serbia, Bonja e Hercegovina, Mali i Zi e Kroacia. Përfaqësuesit diskutuan për shkallën e papunësisë në vendet e tyre, por edhe për shkëmbimin e përvojave për mënyrën e trajtimit të ekonomisë joformale.
“Sot kemi shkallë të papunësisë 27,8 , ajo është shkallë e lartë e papunësisë, dhe për atë duhet vazhdimisht të shkojmë për sigurimin e masave për të inkurajuar punësimin e mëtutjeshëm. Në pjesën e ekonomisë joformale, kemi shikuar masat lidhur me reformat tatimore, dhe zbatimin e politikave aktive për inkurajimin e punësimeve dhe eliminimin e konkurrencës së padrejtë midis kompanive që funksionojnë në pjesën e ekonomisë”, informoi Zhivko Mitrevski, përfaqësues i Lidhjes të Sindikatave në Maqedoni.
Përfaqësuesi i Bashkimit të Sindikatave të Sllovenisë, Dushan Semoliç deklaroi se duhet të organizohet një lëvizje sindikaliste e cila do të jetë në funksion të mbrojtjes së të drejtave dhe interesave të punëtorëve në tërë rajonin e Ballkanit. “Numri i punëtorëve që punojnë me kontrata është i madh posaçërisht tek të rinjtë më shumë se 25% dhe për kushtet tona ajo është shumë i madh. Problemi është se të rinjtë as që e dinë se çka është punë në kohë të papërcaktuar. Prandaj është përgjegjësi e jona si sindikata të ndryshojmë dhe të ndihmojmë të rinjtë për punë cilësore”, theksoi Dushan Semoliç, përfaqësues i sindikatave sllovene.
Përfaqësuesit e Këshillit të Sindikatave “Solidariteti” informuan se i kanë dërguar një letër eurokomisionerit për zgjerim Johannes Han lidhur me situatën ekonomike në rajon, pas fluksit të madh të refugjatëve, dhe ndihmën e domosdoshme për përballimin e kësaj situate.
Miradije Hasani
