Sinani: Qeverisja jonë është me shumicë shqiptare, s’do të kontrollohet nga Beogradi

TË FUNDIT

Qeverisja e re në Preshevë po zotohet se nuk do të jetë e nënshtruar nga udhëheqja autoritare e Aleksandar Vuçiqit. Katër parti politike shqiptare janë bërë bashkë për të qeverisur në katër vitet e ardhshme, duke siguruar kështu 22 mandate në Kuvendin Komunal. Kryetarja e sapozgjedhur e komunës së Preshevës, Ardita Sinani flet për prioritetet e saj, duke u zotuar se do të jetë bashkëpunuese me opozitën. Ajo pret nga Qeveria e Kosovës bashkëpunim dhe trajtim me prioritet të Luginës së Preshevës në dialogun Kosovë-Serbi.

Ardita Sinani nga Partia për Veprim Demokratik është ndër të paktat grua që do të udhëheq në dy vitet e ardhshme me Preshevën.

Mandati nuk iu dorëzua nga ish-kryetari, Shqiprim Arifi, por që thotë se përveç tij, në zyrë munguan edhe gjëra tjera.

“Është fakt që nuk është bërë pranim-dorëzimi, nuk kemi gjetur asgjë në zyrë. Asnjë dokumentacion, asnjë hard-disqet në kompjuter nuk kanë qenë, por e jona është që ne duhet të vazhdojmë reformat. Jemi një qeverisje reformatore dhe jemi një ndër komunat e pakta në Serbi, që kemi marrë një përgjegjësi të qeveriset me një grua”, thotë ajo.

Sinani tregon se për tre muaj në një drejtori është shpenzuar 85 për qind e buxhetit, duke shtuar se do të vazhdojnë hetimet.

“Aty ku dyshohet për keqpërdorime, sidomos tek drejtoria e Fondit për Punë Komunale dhe Banesore, mjetet e parapara që kanë qenë për tërë vitin, për dy muaj apo tre muaj janë harxhuar diku 85 për qind të mjeteve të parapara. Ne si qeverisje e re duhet të kontraktojmë, revizorë të jashtëm, revizorë të brendshëm për të hetuar punën aty ku po dyshojmë për këto keqpërdorime. Kjo do të jetë një reformë kryesore”, shton ajo.

Pavarësisht akuzave që kanë pasur për njëri-tjetrin, Sinani thotë se do i ofrojë bashkëpunim Alternativës për Ndryshim dhe Listës Serbe, por që nuk do të merret me akuzat që ka pasur ish-krye tari.

E pa zhvilluar socio-ekonomikisht dhe e shtypur politikisht, Ardita Sinani po premton shumë për Luginën e Preshevës.

“Qeverisja jonë është me shumicë shqiptare, është një ndër komunat e pakta në vend që nuk kontrollohet nga pushteti qendror në Beograd… (03:18) Gjendja aktuale është shumë e keqe. Për momentin jam duke bërë konsultat me drejtorët e institucionit. Qysh mbledhjen e parë që do ta kem me anëtarët e Këshillit Komunal do të shohim për dyshimet që i kemi për keq-menaxhim të buxhetit dhe mjeteve të taksa-paguesve tonë”, shprehet ajo.