“Nuk ndryshon asgjë nga ajo që kam thënë ditën e parë kur kam mbërritur këtu. Kam thënë se kemi një skuadër me zemër dhe shpirt”, kështu është shprehur trajneri i përfaqësueses kuqezi, Silvinjo në konferencë për shtyp në prag të sfidës me Poloninë, që do të luhet nesër në “Air Albania” duke nisur nga ora 20:45, e vlefshme për kualifikueset e Euro 2024.
“Kam thënë që ditën e parë se kemi një skuadër me zemër dhe shpirt. Më pas nisi puna menjëherë, organizimi i ekipit, kemi ndjekur lojtarët kudo që kanë qenë, i kemi monitoruar dhe tani vazhdojmë punojmë për të ecur përpara me objektivat tonë. Edhe nesër me Poloninë, mendoj se është e njëjta situatë. Pres që skuadra të ketë sjelljen e duhur në fushë, duke vendosur zemrën dhe shpirtin. Do të kemi një stadium plot më 20 mijë tifozë. Me mbështetjen e popullit shqiptar mund të bëjmë diçka të madhe”.
“E dimë që është një ndeshje e vështirë, por shkojmë me zemër dhe shpirt, me të gjithë popullin shqiptar në fushë. Futbolli është i bukur pikërisht për atë që ndodh aty, gjithçka mund të ndodhë në 90 minuta. Të gjithë lojtarët zbresin në fushë për të fituar, e njëjta gjë ndodh edhe me kundërshtarin. Tani po flasim për Poloninë, është ndryshe nga Çekia. Duhet të përgatitemi sa më mirë”.
“Kundërshtari është një skuadër e fortë teknikisht, me lojtarë të një niveli të lartë, kanë një trajner me eksperiencë. Por edhe ne zbresim në fushë me lojtarë teknikisht të fortë. Jam i kënaqur me skuadrën deri tani në gjysmë të rrugës. Mendoj se do të jetë një sfidë shumë tërheqëse, e bukur për tu parë. Mund të ndodhë gjithçka në 90 minuta. Gjithsesi, ne do të hyjmë për të dhënë më të mirën”.
“Jemi këtu, 50% është realizuar, por ka ende, presim fundin. Çdo ndeshje është e vështirë, askush nuk të fal gjë. Muçi? Vendosi ndeshjen ndaj Ishujve Faroe me golin e tij. Është një lojtar me ritëm të mirë. Sot kemi Bajramin në formë, po bën shumë mirë. U kam thënë të gjithëve, të 24 janë të rëndësishëm. Ua kam thënë që në fillim dhe të gjithë e kanë kuptuar”.
